Kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri ka mohuar zërat se BE po zhvillon bisedime me Serbinë lidhur me pikat kufitare 1 dhe 31, në Jarinjë dhe Bërnjak.
Reagimi i Tahirit ka ardhur pasi një zyrtar evropian deklaroi se palët po diskutojnë opsione të ndryshme, për të gjetur një zgjidhje që do t’i kënaqë të gjithë.
Por sipas shefes së delegacionit kosovar, deklarata të tilla janë vetëm propagandë e zyrtarëve serbë.
“Këto janë deklarata të pavërteta të lëshuara nga propaganda serbe. BE, SHBA dhe Kosova janë në të njëjtën linjë, se cështja e doganave është cështje e sovranitetit të Kosovës”, ka deklaruar Tahiri.
Sipas saj, pikat kufitare do të qeverisen nga institucionet kosovare, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, KFOR dhe EULEX.
Negociatorja ka nënvizuar më tej se BE po bisedon me palën serbe në lidhje me detyrimet e Beogradit përballë Unionit.
“Angazhimet e BE-së dhe negociatorit Robert Cooper janë që Serbia të bashkëpunojë në kuadër të dialogut teknik. Serbia e ka të kushtëzuar rrugën drejt BE-së”, ka thënë Tahiri.
Por një zyrtar evropian i afërt me dialogun Kosovë-Serbi, i cituar nga gazeta “Express”, ka thënë se kur bëhet fjalë për veriun Brukseli është në kontakt me të gjitha palët.
Situata në veri të Kosovës nuk mund të quhet më “e qetë por e tensionuar”, pas përleshjes së djeshme mes një grupi serbësh dhe shqiptarësh, që përfundoi me vdekjen e një agjenti serb të Policisë së Kosovës dhe plagosjen e dy të tjerëve.
Top Channel