21 janari, qeveria harxhoi fondin rezervë

10/11/2011 08:30

Më shumë se gjysma e fondit rezervë për emergjenca civile që menaxhohet nga Këshilli i Ministrave këtë vit u përdor për pagesa në lidhje me protestën e 21 janarit.

Gjatë manifestimit, protestuesit socialistë u përplasën me policinë dhe katër demonstrues mbetën të vrarë nga plumbat e Gardës së Republikës.

Sipas gazetës “Shqip”, relacioni shoqërues i projektbuxhetit të vitit 2012 tregon se, 904 milionë lekë nga fondi rezervë janë përdorur për shpërblime si dhe për blerjen e pajisjeve të reja për të shtypur protesta të ngjashme në të ardhmen.

“Rreth 54.2 për qind e fondit rezervë, ose rreth 904.3 milionë lekë i janë dhënë Ministrisë së Brendshme, nga të cilat përmendim fondet për shpërblimin e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, në Ministrinë e Brendshme, të angazhuar në mbrojtjen e institucioneve të shtetit”, thuhet në relacion.

Ministria e Financave sqaron se këto fonde janë përdorur edhe për “blerje pajisjesh, mjetesh dhe materialesh speciale, në plotësim të nevojave të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës etj”, vijon më tej relacioni.

Fonde të tjera janë përdorur gjithashtu për të ndihmuar familjet e prekura nga përmbytjet, por fondet për përmbytjet qenë të pamjaftueshme, sepse zona e NënShkodrës ende nuk i ka marrë dëmshpërblimet dhe po pret, pavarësisht se nga përmbytja tashmë ka kaluar gati një vit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA