Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanovic, si zakonisht ka kritikuar ndërhyrjen e KFOR mëngjesin e së mërkurës në veri.
Sipas agjencisë së lajmeve “Beta”, Ivanovic ka deklaruar se ndërhyrja ishte një veprim i gabuar pasi zgjidhja duhet të arrihet me negociata politike në Bruksel.
“Duhet lejuar që bisedimet në Bruksel të sjellin zgjidhjen, ndërsa paraprakisht gjendja të kthehet si ajo para 25 korrikut. Pasi që nga kjo datë cdo gjë lëvizi në drejtim të gabuar”, ka pohuar Ivanovic.
Zyrtari serb ka vlerësuar më tej se KFOR-i duhet të kthehet në kazerma, policia në rrugë, EULEX në pikat e kalimit dhe qytetarët në shtëpitë e tyre.
“Kjo është mënyra e vetme për zgjidhjen e kësaj krize, pastaj përmes negociatave duhet gjetur një zgjidhje afatgjatë”, ka shtuar Ivanovic.
Ivanovic: KFOR ngre tensione të kota
Disa ditë më parë Ivanovic kritikoi edhe operacionin e KFOR-it më 4 korrik, duke e akuzuar misionin e NATO-s se ngre tensione të kota.
Ivanovic deklaroi se KFOR-i nuk duhet të ndërmarrë operacione për heqjen e barrikadave në veri të Mitrovicës.
“Aksioni i sotëm ushtarak në afërsi të Bërnjakut është i rrezikshëm. Misioni ushtarak ndërkombëtar po shton më kot tensionet”, tha Ivanovic.
Zyrtari serb paralajmëroi se një gjë e tillë mund të cojë në rritjen e numrit të barrikadave në tërë zonën veriore të Kosovës.
Ivanovic: Po frikësohet populli serb
Ndërsa muajin e kaluar, ai akuzoi të dyja misionet ndërkombëtare në Kosovë, edhe EULEX-in, se po përpiqen të frikësojnë popullin serb në veri.
Gjithashtu, Ivanovic shigjetoi edhe qeverinë kosovare se ka nën kontrollin e saj grupe ushtarake informale, me uniformë, të armatosura, që numërojnë deri në 5 mijë anëtarë.
“KFOR-i dhe EULEX-i kanë për detyrë që t’i ofrojnë siguri të gjithë atyre që jetojnë në Kosovë. Një reagim ndryshe do të ishte një dështim i madh i politikës evropiane të sigurisë”, deklaroi Ivanovic.
Top Channel