Me më shumë intensitet vazhdojnë bisedimet dhe kontaktet e socialistëve dhe konservatorëve grekë, në ditën e katërt të negociatave midis dy partive të mëdha, për gjetjen e personit të përshtatshëm, që do të udhëheqë qeverinë e re greke.
Papandreu dhe Samaras, që kanë vizituar në pasditen e së mërkurës presidentin e vendit, duket se kishin rënë dakord për emrin e kryeparlamentarit grek Filippos Petsalnikos, por kanë pasur reagime të mëdha nga anëtarët e të dy partive dhe në momentet e fundit në tryezen e bisedimeve, është rikthyer kandidatura e Lukas Papadhimos.
Sipas burimeve nga zyra e Jorgos Papandreut, ish zv/presidenti i BQE ka komunikuar me të dhe i ka parashtruar katër kushte me të cilat pranon të drejtojë qeverinë e re: të ketë nënshkrimin e të dy partive të mëdha për ratifikimin e marrëveshjes së 26 tetorit në Bruksel për Greqinë, të kenë konservatorët më shumë elementë partiakë në qeverinë e re, të mos jetë 19 shkurti një datë fikse për zgjedhjet e parakohëshme dhe se nuk propozon askënd nga ana e tij për postet qeveritare, duke i lënë në dëshirën e dy partive.
Ne këtë prizëm, sipas analistëve grekë, duket më afër se kurrë, se bankieri i shquar, Papadhimos do të jetë kandidatura përfundimtare.
Më herët në një mesazh të fundit televiziv, Jorgos Papandreu i është drejtuar popullit grek me një fjalim lamtumire dhe më pas është nisur drejt zyrës së presidentit grek Karolos Papulias për t’i dorëzuar atij dorëheqjen e tij dhe të qeverisë që ai drejtoi për më se dy vjet.
Presidenca greke ka thirrur në një takim urgjent në oren dhjetë të mëngjesit të së enjtes 6 udhëheqësit e partive parlamentare greke, një takim që thuhet se do i japë fund ngërcit politik në Greqi.
Top Channel