Ambicjet e Rusisë për të ngritur një bazë ushtarake në Serbi po e kthejnë vendin në Kubën e rajonit të Ballkanit.

Kështu shprehet redaktori i revistës gjermane “GT”, Norbert Gisder, i cili në një artikull të tijin shkruan se Serbia po hyn nën kupolën mbrojtëse të Moskës.

Sipas artikullit, rusët pretendojnë se baza, që do të ndërtohet në afërsi të qytetit të Nishit, do të ketë vetëm qëllime humanitare.

Por pilotët deklarojnë të kundërtën, pasi sipas tyre atje po shtrohen pista për fluturime edhe për avionë të përmasave të mëdha.

Nga ana tjetër, edhe baza ushtarake amerikane Bondstill, në Kosovë, me një sipërfaqe prej 386 hektarësh, konsiderohet si kampi më i rëndësishëm i SHBA në Evropë pas atij në Gjermani.

“Serbia deri më tani nuk ka bërë asgjë që do të justifikonte pranimin e saj në BE. Pozicioni i saj gjeo-strategjik dhe marrëdhëniet tradicionalisht të mira me Rusinë, i kanë mundësuar kësaj të fundit të fusë këmbët në sferën e interesit perëndimor”, shkruan Gisder në artikullin e tij.

“Kjo sjellje e ka shndërruar Serbinë në një lloj Kube të Ballkanit. Serbia po përfiton nga pozicioni gjeo-strategjik i saj pa pasur rrezik nga këto veprime, pasi duke qenë e rrethuar nga vendet perëndimore, BE-së s’i mbetet gjë tjetër vecse ta pranojë në gjirin e saj herët a vonë”, vlerëson redaktori i prestigjozes gjermane.

Ai shton më tej se për të realizuar anëtarësimin, komisioneri për Zgjerimin, Shtefan Fyle ka kryer një transaksion qindra miliona dollarësh në favor të Serbisë, veprim ky që ka acaruar rajonet e tjera të Evropës, si dhe kosovarët.

“Në esencë, njerëzit në Serbi nuk janë të interesuar për procesin e integrimit në BE. Ata vazhdojnë të jenë krenarë me historinë dhe të kaluarën e tyre”, përfundon shkrimi i Gisder.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA