Michael Schumacher është shprehur se dashuron Zvicrën dhe menjëherë mediat gjermane kanë sulmuar shtatë herë kampionin e botës në Formula 1.
Piloti i Mercedes ka deklaruar se vendi ku ndihet më i lumtur është Gjeneva.
“Zvicra ka harmoni, nuk ka gjë më të bukur. Është atdheu im i vërtetë”, u shpreh Schumi për gazetën ‘Neue Zuercher Zeitung’.
Këto deklarata nuk janë pritur aspak mirë nga mediat gjermane.
“Si duhet ta kuptojmë këtë, Schumi?” shkruan gazeta ‘Bild’ që më pas e ka kontaktuar për ta pyetur për një ndërrim të mundshëm të kombësisë. Menjëherë ish-piloti i Ferrarit është përgjigjur: “Unë jam gjerman dhe sa herë që kam mundësi e vizitoj Gjermaninë me shumë dëshirë.”
Stafi i kampionit të Formula 1 ka sqaruar më tej se “zemra e Schumacher është aq e madhe sa ka vend për Gjermaninë dhe Zvicrën të marra së bashku”.
Por, nuk dihet ende nëse bashkëpatriotët e Michael Schumacher janë të gatshëm ta ndajnë kampionin e tyre që e kanë dashur aq shumë.
Top Channel