Lëvizja Vetëvendosje paralajmëroi të hënën se do të parashtrojë një kërkesë për interpelancë me ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila, për të diskutuar mbi raportin tregtar mes Kosovës dhe Serbisë.
Mësohet se në këtë interpelancë do të kërkohet të votohet një mocion, i cili kërkon kthimin e masës së reciprocitetit për importet nga Serbia.
“Serbia po sillet si një palë e hidhëruar nga Kosova, ndërsa qeveria e Kosovës si një mik i cili dëshiron me cdo kusht të pajtohet me mikun e hidhëruar, duke i dhënë të gjitha përfitimet, vetëm e vetëm për t’u ulur në tryezën e bisedimeve”, deklaroi një nga anëtarët e lëvizjes Vetëvendosje.
Lëvizja vlerësoi se humbjet ekonomike nga tregtia e njëanshme po shumëfishohen. Sipas saj, hendeku mes importeve dhe eksporteve nga Serbia është dhjetëfishuar, ndërsa tregu kosovar është pushtuar nga mallrat serbe.
Partia e tretë në Parlamentin e Kosovës publikoi edhe emrat e 25 kompanive të cilat sipas saj kanë importuar fitimet më të mëdha nga Serbia në periudhën kur aktiviteti rrënues serb ndaj mundësisë së sovranitetit dhe integritetit brenda territorit të Kosovës ka pasur intensitetin më të lartë.
Fundjavën e kaluar aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje zhvilluan një protestë, ku ndryshe nga herët e tjera ironizuan planet e qeverisë Thaci.
Top Channel