Në hënën në orët e mëngjesit, serbët kanë bllokuar kalimin e mjeteve
transportuese të kontigjentit amerikan të KFOR-it, në komunën veriore,
në Zveçan.

Kontigjenti i i KFOR-it ishte nisur për në vendkalimin kufitar 1 në Jarinjë të Leposavicit, por është ndaluar rreth orës 5:00 të mëngjesit. Sipas përfaqësuesve serbë, moslejimi i kalimit të tyre në urën që është në dalje të Zveçanit, ka ndodhur për shkak se KFOR-i nuk është marrë vesh me liderët e vetëqeverisjes lokale në veriun e Kosovës.

“Tentimi i kontigjentit të KFOR-it që të kalonte të hënën në mëngjes, paraqet edhe një provokim në vazhdën e shumë provokimeve tjera, të cilat KFOR-i është duke i realizuar ditët e fundit në veri të Kosovës”, ka vlerësuar kryetari ilegal në veri të Mitrovicës, Kërstimir Pantic.

Në kontigjentin e mjeteve transportuese të KFOR-it kanë qenë dy transportues “Hummer”, një makinë speciale “Pik-up” dhe një vinç, që i takojnë trupave amerikane. KFOR-i nga ana tjetër nga njoftuar se mjetet dhe makineria e rëndë ishin dedikuar për të sanuar urën në fshatin Lozhishtë, që ndodhet në rrugën mes Zveçanit dhe Leposavicit.

Por, pas ndalimit të tyre, trupat e KFOR-it janë kthyer në pjesën jugore të Mitrovicës. Në anën tjetër, ushtarët e KFOR-it kanë shpërthyer në mënyrë të kontrolluar në orët e para të së hënës, një granatë dore që ishte vendosur në parkingun e stacionit të Policisë së Kosovës, në komunën veriore, në Zubin Potok. Shpërthimi i saj në mënyrë të kontrolluar është bërë për shkaqe sigurie, pasi që granata e dorës nuk e kishte siguresën.

Gjatë neutralizimit të kësaj granate, nuk ka pasur të lënduar, dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale në objektet dhe automjetet që ishin përreth.Deri më tani nuk ka ndonjë të dyshimtë në lidhje me këtë tentim sulm me granatë, si dhe nuk dihen motivet.

KFOR-i nisi javen e shkuar largimin e barrikadave te pika kufitare në Bërnjak. Që prej mesit të shtatorit barrikadat e bëjnë të pamundur qarkullimin e automjeteve nga pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës në atë jugore dhe anasjelltas.

Banorët që kalojnë përskaj saj janë lodhur nga kjo pamje e përditshme.Adem Mripa është banor i një lagjeje në veri të qytetit.

Ai thotë se çdo ditë ai dhe familja e tij kalojnë në urën kryesore mbi Ibër, përsipër barrikadës, ndërsa kërkon nga vendorët e ndërkombëtarët që ta zgjidhin sa më shpejt këtë problem.

“Nuk dua sa ta mendoj nëse do të kthehen apo jo anëtarët e familjes, apo nëse do të mund të kaloj unë. Ne po jetojmë me një stres të madh se kur do të marrë fund kjo”, shprehet Mripa.

Sipas tij, jeta në pjesën veriore të qytetit, të banuar me shumicë serbe, është e pasigurtë. Edhe qytetarët e tjerë kërkojnë zgjidhjen sa më parë të kësaj çështjeje, në mënyrë që t’i kthehen jetës normale.

“Ne nuk jetojmë më në atë pjesë sepse ma kanë djegur shtëpinë. Por presim që ata persona që jetojnë atje, tek Lagjia e Boshnjakëve, tek Kroi i Vitakut, që ballafaqohen me këto barrikada, të ballafaqohen me mënyra të tjera”, thotë Muhamet Kosumi.

KFOR-i duket se është më shumë për zgjidhjen e kësaj çështjeje përmes dialogut, edhe pse kërcenon për forma të tjera.

Shumë takime janë zhvilluar me kryetarët e komunave paralele. Së fundi, në veri shkoi këtë të mërkurë edhe raportuesi për Kosovën në Këshillin e Evropës, Bjorn Fon Sidove.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA