Presidenca e KiE, Haxhinasto në Strazburg

07/11/2011 19:50

Zv.kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, zoti Edmond Haxhinasto zhvilloi një vizitë në Strazburg, ku mori pjesë në ceremoninë e kalimit të presidencave të Komitetit të Ministrave nga Ukraina te Britania e Madhe.

Sic njofton zyra e shtypit e Ministrisë së Punëve të Jashtëme, pjesëmarrja e ministrit Haxhinasto në këtë ceremoni ishte në cilësinë e presidentit të ardhshëm të KiE-së, në maj të vitit 2012.

Në fjalën e tij, zoti Haxhinasto tha se për Shqipërinë, 14 maj 2012, që përkon me marrjen e Kryesisë, do të jetë një moment historik.

“Ne jemi këtu si partnerë, gati për ta udhëhequr këtë familje me 47 anëtarë dhe të marrim përsipër përgjegjësitë në përmbushjen e objektivave dhe interesave strategjike të Këshillit të Europës”, deklaroi Haxhinasto.

Gjatë kësaj vizite, ai zhvilloi disa takime, ndër to edhe me sekretarin e Jashtëm britanik, William Hague. Duke iu referuar Kosovës, ministri Haxhinasto kërkoi mbështetjen e Britanisë për anëtarësimin e Kosovës në BERZH, duke e konsideruar një veprim të tillë si një akt, i cili do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së individëve atje.

Sekretari Hague theksoi se Britania është një nga mbështetësit më të mëdhenj të cështjes së Kosovës, duke shtuar se ai vazhdimisht lobon për rritjen e numrit të vendeve që e njohin atë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA