Buxheti 2012, administrata qendrore shkurton 720 vende pune

07/11/2011 08:15

Institucionet buxhetore do të kenë vitin e ardhshëm 720 punonjës më pak se sa këtë vit, një shenjë e qartë kjo e dëshirës së qeverisë për të kursyer si pasojë e vështirësive financiare që ka krijuar kriza.

Qeveria ka përcaktuar në projektbuxhetin 2012 se numri i përgjithshëm i të punësuarve në institucionet buxhetore do të jetë 88,640 vetë, me ulje 0.8 për qind në krahasim me numrin e përcaktuar në buxhetin e rishikuar të këtij viti. Ministria e Mbrojtjes, ajo e Arsimit dhe e Shkencës si dhe Ministria e Punëve të Jashtme do të pësojnë shkurtimet më të mëdha, ndërsa Ministria e Brendshme do të njohë rritje të punësimit.

Sipas gazetës ‘Shqip’, stafi i Ministrisë së Mbrojtjes do të shkurtohet nga 11,735 vetë në 11 mijë vetë. Të punësuarit në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës do të ulen nga 39,028 në 38,901 vetë, ndërsa në Ministrinë e Punëve të Jashtme do të ulet numri i të punësuarve nga 615 në 552 vetë. Kjo nënkupton reduktim të numrit të diplomatëve me 10 për qind, në krahasim me këtë vit, një shkurtim ky që mund të konsiderohet drastik. Rritje të konsiderueshme do të njohë Ministria e Brendshme, stafi i së cilës do të shtohet me 197 vetë.
 
Numri i të punësuarve në sektorin buxhetor në Shqipëri ka ardhur vazhdimisht në rënie gjatë viteve të fundit si pasojë e dëshirës së qeverisë për të rritur pagat, ndërkohë që fondet në dispozicion janë gjithnjë e më të kufizuara.

Qeveria pritet të kursejë disa milionë euro nga shkurtimi i numrit të të punësuarve në administratën publike.

Në total, sektori publik, ku përfshihet administrata buxhetore dhe kompanitë nën pronësi publike, punësojnë 167 mijë shqiptarë, ose një të tretën të të gjithë shqiptarëve që janë të punësuar kundrejt pagës në para. Ndërkohë, të vetëpunësuarit në bujqësi konsiderohen si të punësuar me pagesë në natyrë.

Shpenzimet e personelit, që përfaqësojnë rreth 22.1 për qind të totalit të shpenzimeve korrente të realizuara gjatë periudhës janar-gusht 2011, rezultojnë pothuajse në nivelin e parashikimit të periudhës. Kundrejt planit vjetor këto shpenzime në fund të muajit gusht janë realizuar në rreth 64.2 për qind të tij, ndërkohë që krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë shpenzimet e personelit rezultojnë rreth 1.6 miliardë lekë më të larta, ose rreth 3.6 për qind më shumë.

Shpenzimet për paga janë në të njëjtën kohë rreth 3.6 për qind më të larta se një vit më parë ose rreth 1.3 miliardë lekë më shumë se një vit më parë, ndërkohë që shpenzimet për sigurimet shoqërore janë rreth 210 milionë lekë më shumë ose rreth 3.7 për qind më të larta, se një vit më parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA