Kina shkëlqen në dy ditët e para të kampionatit botëror të peshëngritjes që po zhvillohet në Paris të Francës. Në ditën e parë u zhvilluan garat në 48 kg për femra dhe 56 kg për meshkuj.
Në kategorinë 48 kg për femra, fitoi kinezja Tian Juan e cila në dygarësh ngriti peshën 207 kg. Në vendin e dytë u rendit peshëngritja tajlandeze Panida Kamsri me 187 kg, ndërsa medaljen e bronztë e fitoi turkja Karagoz me 183 kg. Në këtë disiplinë garoi edhe peshëngritësja jonë Shqiponja Brahja që në fund u rendit në vendin e shtatë pasi ngriti në dygarësh 171 kg.
Në kategorinë deri në 56 kg për meshkuj, medaljen e artë e fitoi kinezi Vu Xhingbao i cili e mbylli garimin e tij me 292 kg në dygarësh. Në vendin e dytë, me medalje të argjendtë, u rendit Zhao Çaoxhun me 284 kg, ndërsa në vendin e tretë u pozicionua Valentin Hristov nga Azerbajxhani me 276 kg.
Në ditën e dytë të Botërorit u zhvilluan garat e 43 kg për femra dhe 62 kg për meshkuj. Në 53 kg për femra fitoi peshëngritësja nga Kazakistani, Zulfija Çinshanlo që në dygarësh ngriti peshën prej 227 kg duke mbrojtur titullin e fituar 2 vjet më parë në Kore. Medaljen e argjendtë e fitoi Dasdelen me 219 kg, ndërsa në vendin e tretë duke marrë edhe medaljen e bronztë u rendit Xhi Xhing me 214 kg.
Kina fiton edhe në kategorinë deri në 62 kg për meshkuj. Medaljen e artë në këtë disiplinë e fitoi Xhi Zhang me 321 kg në dygarësh. Në vendin e dytë u rendit koreano-veriori Kim Un Guk me 320 kg, ndërsa medaljen e bronztë e fitoi Iravan nga Indonezia me 310 kg.
Në ditën e tretë të Botërorit të peshëngritjes, pritet të garojnë Fetije Kasaj dhe Romela Begaj në kategorinë deri në 58 kg. Kasaj do të marrë pjesë ne baterinë C, ndërsa Begaj në baterinë B.
Top Channel