Deklarimi i pasurisë, individët “heshtin”

06/11/2011 08:35

Edhe pse ligji për deklarimin individual të të ardhurave vjetore ka hyrë në fuqi që në prill të këtij viti, numri i personave që e kanë dorëzuar formularin deri tanimë pranë Drejtorive Rajonale Tatimore është i papërfillshëm.

Nisur nga ky fakt, pritet që në ditët në vazhdim Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe ato rajonale të ndërmarrin nisma sensibilizuese për të informuar më qartë qytetarët rreth këtij ligji dhe masave që do të merren në rast të moszbatimit të tij, informoi ditën e dielë në faqet e saj e përditshmja “Shqip”.

Raportimi i situatës është bërë nga burime të gazetës pranë tatimeve, të cilat sqarojnë se, në 30 prill të vitit 2012 përfundon viti fiskal, kur duhet mbyllur dorëzimi i gjithë formularëve të individëve për të deklaruar të ardhurat e tyre vjetore.

Por, duket se kjo nismë që do të kontrollonte të ardhurat e çdo shtetasi shqiptar rrezikon të dështojë, për shkak të mos interesimit të vetë qytetarëve, të cilët nuk rezulton t’i kenë plotësuar këta formularë. Sipas ligjit, nëse nga plotësimi i deklaratës rezulton se individi duhet të paguajë tatim, bazuar në rubrikën “Totali për t’u paguar të deklaratës individuale vjetore të të ardhurave”, ai duhet të plotësojë formularin “Dokument i pagesës së tatimit mbi të ardhurat individuale”.

Ndërkaq, bashkëlidhur këtij udhëzimi dhe brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së deklaratës vjetore të të ardhurave, bën pagesën e tatimit në bankë. Burimet e sipërcituara pohojnë se për mosdeklarimin në afat të deklaratës individuale vjetore të të ardhurave zbatohen sanksionet administrative.

Në zbatim të nenit 13 të ligjit, detyrimin për dorëzimin e deklaratës individuale vjetore të të ardhurave e ka kryefamiljari dhe gruaja në deklarata të veçanta, sipas modelit të miratuar, duke plotësuar rubrikat respektive të deklaratës individuale vjetore të të ardhurave.

Nëse kryefamiljari për periudhën tatimore ka realizuar të ardhura individuale vjetore, më pak se kufiri 800 mijë lekë, ka të drejtën të përfitojë nga njohja e shpenzimeve të zbritshme. Por, nëse nuk kanë realizuar të ardhura, ata duhet të deklarohen në deklaratën e kryefamiljarit dhe atë të gruas, duke plotësuar kutitë përkatëse.

Ndërsa, nëse fëmijët realizojnë të ardhura individuale gjatë periudhës tatimore, ata duhet të deklarojnë individualisht këto të ardhura nëpërmjet plotësimit të deklaratës. Nëse kryefamiljari realizon të ardhura vjetore mbi kufirin 800 mijë lekë, ai nuk do të përfitonte nga shpenzimet e zbritshme dhe do të tatohet me 10 për qind për pjesën mbi shumën e përcaktuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA