Kapiteni ballshiot, Amarildo Dimo u plagos rëndë në ndeshjen Vllaznia-Bylis, gjatë përplasjes së fortë me mbrojtësin e ekipit shkodran Popovic.
Për disa minuta, lojtari i Bylisit nuk dha shenja jete në fushë. Por pas ndërhyrjes së shpejtë të stafit mjeksor të të dy skuadrave ai u dërgua me urgjencë në spitalin e Shkodrës dhe më pas në atë Ushtarak të Tiranës.
Ndërkohë, Rudi Vata e ka nisur me barazim karrierën e tij si trajneri i Vllaznisë, një pikë që duhet ta kënaqë teknikun shkodran, skuadra e të cilit ishte pranë humbjes me Bylisin.
Ndeshja e shkodranëve dhe ballshiotëve, që për shkak të episodeve të shumta zgjati 113 minuta, përfundoi në barazim 3-3.
Shkodranët kaluan të parët në avantazh me një 11-metërsh të dyshimtë që u shndërrua në gol nga Sukaj. Një vendim ky që u protestua nga trajneri i Bylisit, i cili la pankinën.
Në të dytën, ndoshta në formë kompensimi, gjyqtari i ndeshjes Jorgji dha një tjetër 11-metërsh të dyshimtë, këtë herë për Bylisin.
Dimo barazoi shifrat, por ende pa mbaruar gëzimi i tyre Sukaj nxorri nga hici një gol dhe kaloi për herë të dytë shkodranët në avantazh.
Pas këtij momenti në fushë hyri një tifoz që goditi lojtarin e Bylisit, Gegën. Ballshiotët barazuan sërish, para se të ndodhte dëmtimi i rëndë, ndërkohë që pas rifillimit të lojës kaluan në avantazh.
Atëherë kur u mendua se 3 pikët do t’i fitonte Bylisi, Vajushi shënoi në fund duke shmangur katastrofën në “Loro Borici”.
Top Channel