Ashtu sic kishte premtuar të premten para parlamentit grek kreu i qeverisë, Jorgos Papandreu ka takuar në mesditën e së shtunës presidentin Papulias, duke hapur kështu procesin për krijimin e një qeverie të koalicionit të gjërë, në të cilën ndoshta ai nuk do të jetë kryeministër.

“Do të bëj gjithcka që kalon nga dora ime për këtë proces dhe për suksesin e negociatave me forcat politike të vendit”, ka ripërsëritur Papandreu. 

“Zoti President, sic jeni në dijeni dje në mbrëmje qeveria ka marrë votëbesimin. Prioriteti im kryesor është të bëj cfarë është e nevojshme për krijimin e një qeverie të bashkëpunimit të gjerë, sic theksova dhe dje në mbrëmje. Sic thashë dhe në parlament nuk jam i ngjitur pas një karrigeje dhe do të bëj gjithcka të nevojshme për realizimin e kësaj përpjekjeje”, iu drejtua kryeministri Papandreu presidentit Papulias.

Ka qenë pikërisht ky angazhim, që ka bërë që udhëheqësi grek të marrë të premten votëbesimin në parlament me 153 vota pro dhe 145.

‘Papandreu ka fituar për të ikur së shpejti’, është komenti më karakteristik për votëbesimin e djeshëm, që etiketohet si një rast paradoksal në politike, përderisa një qeveri ka marrë votën e besimit për t’ia dhënë pushtetin një qeverie tjetër.

Kreu i qeverisë greke ka deklaruar se marrëveshja e samitit të BE në 27 tetor është shansi i fundit për vendit dhe është pozicionuar kundër zgjedhjeve të parakohshme.

Në këtë përpjekje Papandreu ka lënë të nënkuptohet se do të bëjë gjithcka që duhet politikisht dhe fjalimi i tij është përshkruar si një lamtumirë nga posti i kryeministrit në qeverinë e re të koalicionit që do të krijohet.

“Gjëja e fundit që më intereson është pozicioni im.E kam thënë më parë dhe do ta përsëris. Po e them në Greqi dhe jashtë saj. Nuk më intereson fakti nëse nuk do të rizgjidhem kurrë më”, ritheksoi Papandreu.

Sipas zevendeskryeministrit dhe ministrit të Financave Evangjelos Venizellos që vlerësohet si kandidat i mundshëm në krye të qeverisë së re, limiti kohor për krijimin e saj do të jetë muaji mars.

Nga ana tjetër lideri i partisë opozitare Demokracia e Re, Antonis Samaras ka bërë thirrje për zgjedhje të menjëhershme, duke theksuar se refuzon propozimet e kryeministrit aktual për një qeveri koalicioni.

Por megjithëse Papandreu është votëbesuar dhe socialistët duket se janë konsoliduar përsëri në parlament, ka ende një hezitim për të vlerësuar nëse kriza politike në vend ka marrë fund, pasi të gjithë udhëheqësit e forcave politike në vend i kanë thënë “jo” propozimit të tij.

Gjithsesi votëbesimi që ka marrë qeveria e tij është përshëndetur nga udhëheqësit europiane, sepse vlerësohet si një faktor që do të sjellë stabilitet jo vetëm në Greqi, por edhe në vendet e Eurozonës. Vetë kancelarja Angela Merkel deklaroi se stabiliteti i eurozonës është më i rëndësishëm se sa anëtarësimi i Greqisë në Union.

Ndërkohë, liderët e vendeve të G20-ës të mbledhur në Kanë e përfunduan samitin pa publikuar asnjë detaj mbi mënyrën për zgjidhjen e krizës së borxhit.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA