Një shpërthim i fuqishëm është regjistruar mesnatën e kaluar në afërsi
të stacionit të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës.
Sipas Kosovapress ngjarja ka ndodhur në një parking të një ndërtese në veri të Mitrovicës ku dyshohet se cak i këtij sulmi ka qenë një makinë pa targa, pronë e një qytetari serb i punësuar si staf lokal në misionin europian, EULEX, Aleksandar Paunovic
Sipas njoftimit të Policisë edhe dy automjete të tjera kanë pësuar dëme materiale, ndërsa sipas po sipas tyre nuk është raportuar për dëme njerëzore. Shpërthimi ka qenë i fuqishëm, saqë përveç automjeteve të dëmtuara, janë thyer edhe disa xhama në një ndërtesë që ndodhet në afërsi të vendit ku ka ndodhur shpërthimi.
Ende nuk ka të dyshuar dhe nuk dihen motivet e shpërthimit të mjetit eksplodues në rrugën “Filip Vishnjiq”, ndërsa policia ka inicuar hetimet për këtë rast që është kualifikuar si vepër penale e “shkatimit të rrezikut të përgjithshëm”.
De Marnhac: Sulm kriminal ndaj misionit të BE
Ndërkohë, misioni EULEX e ka dënuar ashpër sulmin në fjalë, duke e cilësuar atë si të papranueshëm.
“Kjo ishte një perpjekje e qartë për frikësimin e këtij pjesëtari të stafit tonë dhe misionit në tërësi. Ky është një sulm kriminal ndaj misionit të BE dhe si i tillë është i papranueshëm”, është shprehur Xavier Bout de Marnhach në një komunikatë për shtyp.
Shefi i misionit evropian për rendin dhe ligjin ka shtuar se, stafi i EULEX-it do të vazhdojë të punojë në të gjithë veriun e Kosovës, në portat kufitare, në gjykata dhe në patrullime.
Top Channel