Qeveria e Kroacisë nuk ka ndërmend ta tërheqë akuzën për genocid të ngritur kundër Serbisë pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Deklarata është bërë nga kryeministrja kroate, Jadranka Kosor, e cila ka mohuar zërat për një marrëveshje me Beogradin.
“Qeveria që unë udhëheq asnjëherë nuk ka biseduar për këtë cështje dhe ne nuk kemi ndërmend që të tërheqim aktpadinë e shtetit kroat kundër Serbisë për kryerjen e genocidit”, ka deklaruar Kosor.
Nga ana tjetër, edhe serbët kanë dorëzuar një dosje me akuzë të njëjtë kundër Kroacisë. Por gjithashtu, Beogradi ka kërkuar disa herë një marrëveshje me Zagrebin për tërheqjen e përbashkët të këtyre aktpadive.
Por, kjo kërkesë nuk ka marrë një përgjigje pozitive nga pala kroate. Më 2 korrik të vitit 1999 Kroacia dorëzoi aktpadinë me të cilën kërkohet që të vërtetohet se Serbia është përgjegjëse për agresion dhe genocid.
Muaj më parë marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kroacisë u përmirësuan, me të dyja palët që i kërkuan falje njëra-tjetrës për krimet e luftës.
Por ato u tensionuan pasi Serbia arrestoi një veteran të luftës kroate, si dhe për shkak të vendosmërisë së Zagrebit për të cuar përpara betejën ligjore në Hagë.
Top Channel