Raportuesi i Këshillit të Evropës për Kosovën, Bjorn von Sydow, në përfundim të vizitës së tij në Kosovë, ka deklaruar se serbët dhe shqiptarët duhet të gjejnë një kompromis për veriun.

Në një konferencë për shtyp, Von Sydow ka nënvizuar se situata e tensionuar në atë zonë të shtetit të ri nuk është në favor të askujt.

“Situata aktuale në veri kërkon një kompromis nga të gjitha palët, të cilat duhet të bëjnë lëshime pasi kjo situatë nuk i shërben askujt”, ka deklaruar Von Sydow.

Ai është shprehur se autoritetet kosovare duhet të jenë të gatshme të ulen në tryezë dhe të diskutojnë për gjetjen e një kompromisi, me mbështetjen e faktorit ndërkombëtar.

Më tej, raportuesi ka bërë të ditur se vizita e tij në Kosovë kishte edhe qëllime të tjera, të cilat ai i ka prekur me radhë.

“Qëllimi i vizitës ishte verifikimi i situatës në terren pas zgjedhjeve të 2010-ës, zhvillimet në veri dhe implementimi i kërkesave që dalin nga rezolutat e miratuara në vitin 2010 nga Asambleja e Këshillit të Evropës”, ka nënvizuar Von Sydow.

Zyrtari evropian ka vlerësuar se në dy vitet e fundit në Kosovë ka pasur progrese në shumë fusha, por nuk saktësoi se kur do të përgatitet raporti i posacëm.

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Von Sydow u takua me presidenten Atifete Jahjaga, të cilës i kërkoi më shumë reforma, si dhe me kryeministrin Thaci, i cili e garantoi se qeveria kosovare nuk është në konflikt me serbët e veriut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA