Seria A, shtyhet ndeshja Genoa-Inter

04/11/2011 21:05

Ndeshja Genoa-Inter, e programuar për tu zhvilluar ditën e dielë në qytetin e Xhenovës, është shtyrë për shkak të përmbytjeve masive që kanë shkaktuar 7 viktima.

Njoftimin e ka dhënë kryebashkiakja e qytetit italian, Marta Vincenzi. Zona më e goditur e qytetit nga përmbytjete është pikërisht ajo ku ndodhet stadiumi “Luigi Ferraris”.

Mes viktimave raportohet të jetë edhe një grua shqiptare e identifikuar si Shpresa Djala, 28 vjeç, dhe dy vajzat e saj, përkatësisht 1 dhe 10 vjeç.

Sipas burimeve, është konfirmuar se pesë nga viktimat kanë humbur jetën për shkak se u futën në korridorin e një ndërtese.

Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes kanë treguar se personat në fjalë, mes të cilëve dy fëmijë, u futën në korridor për t’u mbrojtur nga shiu i rrëmbyeshëm, ndërkohë që hapësira u mbulua nga uji që vërshoi papritur.

Mësohet se ata nuk patën kohë për të arritur shkallët dhe për të dalë nga korridori i ndërtesës, por u përfshinë nga vala e ujit të rrëmbyeshëm.

Ndërkohë, në një zonë tjetër të qytetit, autoritetet policore kanë urdhëruar banorët që ndodheshin rrugëve që të strehohen në vende të sigurta.

Kjo, pasi shumë shpejt pritet një valë e re uji, që nga forca pritet të marrë me vete cdo gjë që do t’i dalë përpara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA