Në një konferencë shtypi emocionale përpara garës së Valencias, Valentino Rossi theksoi se do të jetë e vështirë për të gjithë që të rikthehen në pistë pas asaj që ndodhi me Marco Simoncellin në garën e fundit, por se garimi është mënyra më e mirë për të nderuar kujtimin e pilotit.
24-vjeçari Simoncelli mbeti i vdekur kur pas një rrëzimi në Malajzi, Rossi dhe Edwards nuk mundën ta evitonin dhe i dhanë goditje fatale në trup dhe në kokë me motorat e tyre.
”Është një moment i vështirë për mua. E kam ndierë shumë dhembjen për humbjen tragjike të Marco-s, por nga ana tjetër mendoj se duhet ta mbajmë mend ashtu siç ishte, të gjallë, të buzëqeshur dhe të mbushur me optimizëm. Kjo është arsyeja përse mënyra më e mirë për të nderuar kujtimin e tij është duke garuar”.
Në intervistën e publikuar në një të përditshme spanjolle, Rossi flet dhe për pishmanin e vetëm që i ka mbetur rreth Simoncelli-t. “Gjithmonë shkonim bashkë në kart ose motokros. Nuk mbaj mend vetëm një moment të bukur, pasi me të nuk mërziteshe ndonjëherë. Më vjen keq vetëm që nuk u ngjitëm një herë bashkë në podium dhe që nuk dyluftuam për fitoren. Vjet unë isha më i shpejtë, ndërsa sivjet ishte ai. Isha i sigurt që në të ardhmen do të luftonim të dy për titullin, por nuk deshi kështu fati”.
”Doktori” iu rikthye edhe dinamikës së dhimbshme të fatkeqësisë. “Gjithçka ndodhi në një çast. Unë dhe Kolin ishim pas tij dhe as që e kuptuam rënien e Simoncelli-t, deri në momentin kur u përplasëm. Marco ishte shumë i fortë fizikisht dhe i imponohej motorit. Kështu, në momentin kur e kuptoi se po rrëzohej, me të gjithë forcën arriti të kthente drejtimin, por për fatin e keq trupi i shërbeu si kundërpeshë dhe u kthye nga ana tjetër. Në një mijë raste të tjera, nuk do të kishte ndodhur asgjë. Fatkeqësisht, ishte momentin i gabuar, në sekondën e gabuar dhe më vjen shumë keq për këtë, por me fatin nuk mund të kapesh”.
Top Channel