Për rreth një muaj, komisioni për ndryshimin e Kushtetutës dëgjoi edhe zërin e qytetarëve të Kosovës, në lidhje me zgjedhjen e presidentit.

Debati i fundit u zhvillua në Prishtinë. Cështjet për të cilat qytetarët kanë mundur të japin mendimet e tyre janë, nëse presidenti i ardhshëm duhet të ketë apo jo dy shtetësi, dilemat rreth posteve të tjera publike, mosha 35 apo 40 vjece e presidentit, a duhet Kosova apo jo të ketë zëvendëspresident, vendi i betimit, etj.

Cështje të tjera që kanë nxitur debat janë edhe mënyrat e shkarkimit të presidentit dhe nëse kandidati për president duhet të jetë i lindur apo jo në Kosovë.

“Kandidati duhet të ketë shtetësinë e Kosovës. Kemi 2 opsione, që presidenti të lirohet nga njëra prej shtetësive nëse ka dy. Rezidenca apo vendbanimi është një kusht tjetër. Kandidati për president duhet të ketë të paktën 5 vjet në Kosovë vitet e fundit”, deklaron Arsim Bajrami, kryetar i komisionit për ndryshimin e kushtetutës.

Në debatin e së premtes zëri i qytetarëve në fakt u dëgjua më pak. Sepse asambleistët komunalë të cilët përfaqësonin forcën politike të Nexhat Dacit apo Behgjet Pacollit e shndërruan “debatin qytetar” në një debat të zhurmshëm politik.

Kjo për shkak se cështja e dyshtetësisë do ta pengonte zotin Pacolli të kandidojë për president, sikurse do ta pengonte edhe Nexhat Dacin ta bëjë një gjë të tillë nëse Kushtetua parashikon që kandidati duhet të jetë i lindur në Kosovë.

Ajo cfarë ka mbetur për një fazë të mëvonshme janë kompetencat e presidentit, përkatësisht neni 84 i Kushtetutës për ndryshimin e të cilit Komisioni Parlamentar do të kërkojë mandat shtesë nga Kuvendi.

Për të gjitha alternativat e hapura komisioni parlamentar do të vendos në ditët në vijim. Në fund të dhjetorit parashihet që ndryshimet në kapitullin e presidentit t’i dorëzohen Kuvendit për miratim dhe gjashtë muaj pas miratimit, Kosova ka të drejtën të hyjë për herë të parë në zgjedhjet e para presidenciale.

E teksa nuk janë zgjidhur ende këto cështje, gjatë debatit të fundit doli dhe kandidatura e parë për president.

Kandidati Seremb Gjergji, i cili vetëshpalli kandidaturën në debatin kushtetues njihet si gazetar dhe aktualisht punon në Postë Telekomin e Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA