Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanovic ka deklaruar se KFOR-i nuk duhet të ndërmarrë operacione për heqjen e barrikadave në veri të Mitrovicës.

Reagimi i Ivanovic vjen pas operacionit të KFOR mëngjesin e sotëm për zhbllokimin e pikës kufitare në Bërnjak.

“Aksioni i sotëm ushtarak në afërsi të Bërnjakut është i rrezikshëm. Misioni ushtarak ndërkombëtar po shton më kot tensionet”, ka deklaruar Ivanovic.

Zyrtari serb ka paralajmëruar se një gjë e tillë mund të cojë në rritjen e numrit të barrikadave në tërë zonën veriore të Kosovës.

Ivanovic: Po frikësohet populli serb

Muajin e kaluar, Ivanovic akuzoi misionet ndërkombëtare në Kosovë se po përpiqen të frikësojnë popullin serb në veri.

Gjithashtu, ai akuzoi qeverinë kosovare se ka nën kontrollin e saj grupe ushtarake informale, me uniformë, të armatosura dhe deri në 5 mijë anëtarë.

Ivanovic tha se, KFOR-i dhe EULEX-i kanë për detyrë që t’i ofrojnë siguri të gjithëve që jetojnë në Kosovë dhe se reagimi ndryshe “do të ishte dështim i madh i politikës së sigurisë evropiane”.

Ivanovic: Dialogu varet nga qëndrimi i SHBA

Ndërsa në një intervistë dhënë po muajin e kaluar për një media serbe, Ivanovic deklaroi se fati i bisedimeve Prishtinë-Beograd do të varet nga roli i Brukselit.

Ky i fundit, sipas Ivanovic, duhet të bindë faktorin amerikan në Kosovë që t’u bashkohet persioneve ndaj autoriteteve të Prishtinës, të cilat po politizojnë bisedimet.

“Problemi qëndron në faktin se KE nuk ka të njëjtën influencë që ka SHBA në Prishtinë. Pyetja që shtrohet është se sa i aftë do të jetë KE të bindë ambasadorin amerikan që t’u bashkohet presioneve ndaj autoriteteve kosovare”, deklaroi Ivanovic.

“Nëse një gjë e tillë ndodh, dhe besoj se do të ndodhë, atëherë vazhdimi i dialogut është i sigurtë”, nënvizoi zyrtari serb për televizionin RTS.

Ai shtoi më tej se bisedimet kanë qenë gjithmonë në teh pasi pala kosovare ka dashur t’i politizojë ato në atë masë, në mënyrë që të fitojë njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA