Drejtori për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Marko Prelec ka deklaruar se Bashkimi Evropian është tërësisht i padukshëm në veri të Kosovës.
Sipas tij, ky është një nga dështimet më të mëdha të politikës së jashtme të BE-së që nga Traktati i Lisbonës.
“Aktualisht situata është e qetë, por në një plan afatgjatë unë shoh një konflikt për kontrollin e veriut të Kosovës”, ka deklaruar Prelec.
Duke folur për “REL”, zyrtari i GNK-së i ka sugjeruar BE-së që për të zgjidhur situatën t’i ofrojë Kosovës një perspektivë të vërtetë evropiane.
“Ajo që duhet të bëjë Brukseli është t’i japë Kosovës një perspektivë të vërtetë evropiane, gjë që nuk e ka bërë deri tani”, ka pohuar Prelec.
Një gjë të tillë Prelec e paralajmëroi edhe muajin e kaluar, kur Brukselit i propozoi që të mos mbështesë opsionin e dhunës dhe Beogradit që të dalë me plane konkrete.
Ndërsa rreth një javë më parë ai i bëri thirrje Serbisë që të zgjidhë cështjet në raport me Kosovën në mënyrë që të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.
“Brenda BE-së nuk mund të importohen konflikte. Prandaj, Beogradi duhet t’i kthehet dialogut dhe të ecë drejt zgjidhjeve të përhershme”, deklaroi Prelec.
Top Channel