Një prej simboleve të luftës së UÇK-së në Kosovë, Adem Demaçi, pranoi për herë të parë publikisht ambiciet e tij për detyrën e presidentit, në një intervistë të botuar mëngjesin e sotëm në një revistë kosovare.
“Nuk ka qenë ndonjëherë pikësynimi i karrierës sime, por e kam vendosur jetën në shërbim të popullit, prandaj nëse do të ishte populli ai që do të ma kërkonte këtë, nuk do të mund ta refuzoja”, u citua Demaçi.
Lideri i dikurshëm i rezistencës, qartësoi edhe se “nuk jam propozuar prej PDK-së dhe as Vetvendosjes, por nga disa miq të diasporës në SHBA”.
Sipas tij, nuk është e vërtetë se “Vetvendosje” ka kërkuar nga ai që nëse dëshiron ta ketë mbështetjen e tyre për president, ai atëherë të këmbëngulë që Hashim Thaçi të mos jetë kryeministër.
Megjithatë, Demaçi theksoi se nuk do të mund bëhet president në kontekstin aktual politik, kur institucionet kosovare janë të ndikuara plotësisht nga prania ndërkombëtare në vend.
Top Channel