Kryeministri kosovar Hashim Thaci ka përsëritur se qeveria e tij nuk
është në konflikt me serbët që jetojnë në veriun e Kosovës.
Gjatë takimit me raportuesin për Kosovën në Këshillin e Evropës, Bjorn von Sydow, Thaci ka theksuar se zhvillimi ekonomik i veriut është prioritet i tij.
“Qeveria nuk është në konflikt me qytetarët e saj në veri, por me strukturat ilegale dhe me bandat kriminale, të cilat e mbajnë peng popullsinë atje”, ka deklaruar Thaci.
Më tej gjatë takimit, sipas një komunikate të qeverisë së Kosovës, Thaci i rikonfirmoi zyrtarit evropian synimin e tij për implementimin e reformave të integrimit.
Nga ana e tij, Von Sydow ka vlerësuar ka vlerësuar punën e qeverisë kosovare në garantimin e të drejtave të minoriteteve.
Gjithashtu, ai ka shprehur shpresën e tij për zgjidhjen e situatës në veri dhe integrimin e serbëve të asaj zone në shoqërinë kosovare.
Të njëjtin mesazh Thaci dha edhe rreth një javë më parë në Kuvendin e Kosovës, ku deklaroi se veprimet kriminale në veri janë mbështetur nga shteti serb.
I thirrur në interpelancë për cështjen e veriut nga lëvizja Vetëvendosje, Thaci theksoi se situata në këtë pjesë të Kosovës është e trashëguar.
Rrugët kryesore në veri vazhdojnë të jenë të njëjta. Të bllokuara. Gjatë tetorit KFOR-i nisi një aksion për zhbllokimin e tyre, por barrikadat vazhdojnë të qëndrojnë, ndërsa pranë tyre edhe serbët që bëjnë kujdestari 24 orë në ditë.
Top Channel