“Shqipëria nuk do t’i shpëtojë krizës”

03/11/2011 16:00

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim paralajmeron Shqiperine se nuk mund t’i shpëtojë krizës së Eurozones,  e veçanërisht krizës qe vjen nga Greqia.

BERZH njihet si instuticion që përgjithësisht jep parashikime tepër pesimiste për vendet. Për Shqipërinë, BERZH thotë se rritja ekonmike do të jetë vetëm 1.9% këtë vit dhe  tepër më e ulët vitin tjeter.  Drejtori i komunikimit për bankën, në një intervistë për “Top Channel” thotë se qeveria duhet të kryejë reforma të thella.

“Jemi duke jetuar në një kohë me pasigurira të mëdha ekonomike dhe jo më larg se sa në kufirin tuaj jugor keni Greqinë. Në këtë moment, të gjithë janë të shqetësuar rreth asaj që Greqia do të bëjë dhe impaktin që do të ketë në Eurozonë. Ju nuk mund t’I shmangeni dot lidhjes mes asaj që ndodh atje dhe asaj që ndodh në të gjithë rajonin. Arsyeja përse po ulim parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë dhe rajonit lidhet me faktin që ajo që mund të ndodhë në Eurozonë ose Greqi, me shumë gjasa do të reflektohet fuqishëm edhe në këtë pjesë të Europës”, shprehet Jonathan Charles, drejtori i komunikimit të BERZH-it.

BERZH e ka tkurrur parashikimin për ekonominë shqiptare në nivelin më të ulët prej vetëm 1.9% për vitin 2011, ndërkohë që viti i ardhshëm pritet edhe më negativ.  

“Për vitin e ardhshëm, presim që rritja ekonomike në Shqipëri të jetë prej vetëm 1%. Sigurisht që kjo lidhet kryesisht me shkaqet e jashtme, me atë që po ndodh në Eurozonë dhe me një përshkallëzim të mundshëm të krizës greke, çka do të thotë se do të ketë problem për të gjithë rajonin”.

Charles thotë se në këto kushte, Shqipëria duhet të vazhdojë reformat në disa sektorë kyc, ku vendi ka avantazhe, për të cilët do ketë dhe mbështetjen e BERZH-it.

“Mendoj se gjëja kryesore është të fillojmë të mendojmë për të ardhmen ekonomike, pra të mendojmë se çfarë investimesh ka nevojë ekonomia në mënyrë që të rritet. Është e qartë që në Shqipëri, ne mendojmë se mënyra më e mirë është të ndihmohen ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që janë edhe kompanitë më të mëdha të punësimit. Infrastruktura është gjithashtu shumë e nevojshme për të inkurajuar investimet. Një shembull janë investimet në energjinë e rinovueshme, hidrocentralet dhe ne po i mbështesim këto projekte, pasi ju ku mund të keni energji më efiçente, e cila mund t’i sjellë para vendit nëpërmjet eksportit”.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim është një nga investitorët kryesorë në Shqipëri që asiston gjithmonë sektorin privat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA