Pas 5 vjetësh mungesë, jan Torp do të rikthehet të marrë pjesë në garat e notit. Ish-rekordmeni botëror tashmë ka filluar përgatitjet për të siguruar praninë në Lojërat Olimpike të Londrës të vitit 2012-s dhe do të kërkojë të verifikojë mundësitë e tij në Kupën e Botës që do të zhvillohet në Singapor.
Notari australian do të marrë pjesë në garën e 100 m stil i përzier duke hequr dorë nga stili i lirë ku ai ka qenë specialist. Më pas ai do të përqendrohet në garat kualifikuese australiane që do të zhvillohen në muajin mars të vitit të ardhshëm.
Torp deklaroi se hoqi dorë nga garat e stilit të lirë për të marrë pjesë në atë të 100 stil i përzier me synimin që njerëzit mos të bëjnë krahasime me kohët e tij të mëparshme.
“Nuk marr pjesë në garat e notit prej 5 vitesh. Kjo është hera e parë që kthehem në pishina dhe e di që nuk do të jetë e lehtë. Por është një hap i rëndësishëm për mua, pasi do të më ndihmojë për vitin e ardhshëm”, deklaroi Torp.
Duke parë se nuk do të ketë shumë gara në dispozicion, notari 29 vjecar deklaroi se nuk pret të bëjë ndonjë mrekulli në Londër.
“Kur fillova të stërvitem, mendova më shumë për dështimin sesa për suksesin. Kjo mund të më ndihmojë të jem më i lirshëm për të garuar sa më mirë dhe për të arritur dicka pozitive”, vijon Torp.
Top Channel