Gomez si Messi, me 5 gola

03/11/2011 00:00

Me tripletën e shënuar ndaj Napolit, sulmuesi i Bayern Munchen, Mario
Gomez renditet përkrah Lionel Messi-t, në krye të klasifikimit të
golashënuesve më të mirë në Champions League.

Super-Mario i është përgjigjur me të njëjtën monedhë Leo-s, që të martën shënoi tre gola kundër Viktoria Plzen.

Gjermani dhe argjentinasi kryesojnë kështu me 5 gola, të ndjekur nga Doumbia i CSKA Moska me 4 dhe Ibrahimovic, Villa, Frei, Chirokov, Ailton dhe Hulk me nga 3 gola.

Por ndërsa për Gomez ka ndritur fati, për shokun e tij të skuadrës, Bastian Schweinsteiger nuk ka ndodhur e njëjta gjë.

Kjo, pasi mesfushori i Bayern ka marrë një dëmtim në shpatullën e djathtë gjatë ndeshjes së të mërkurës.

Sipas mediave gjermane, lojtari do të operohet ditën e premte dhe do të qëndrojë jashtë fushe për 4 ose gjashtë javë.

Operacioni është konfirmuar edhe nga tekniku i bavarezëve, Jupp Heynckess, i cili nga ana tjetër nuk ka preferuar të japë data mbi rekuperimin e lojtarit.

“Schweinsteiger për ne është shumë i rëndësishëm, për më tepër tani që ai është në një formë të mirë”, është shprehur Heynckess.

Top Channel