Disa caste para se të nisej për në Francë, kryeministri grek ka publikuar në llogarinë e tij personale në T?itter dhe më pas në blogun e tij personal, një deklaratë me anë të së cilës ka qartësuar edhe njëherë përse ka befasuar grekët, por edhe europianët me kërkesën e tij për referendum popullor.
“Dua të spastroj vendin nga interesat e disa qarqeve, qofshin ata bankierë, investitorë apo cfarëdo lloj tjetër. Për herë të parë po pastrojmë vendin nga korrupsioni, kontrabanda, evazioni fiskal, po taksojmë depozitat e atyre që i kanë cuar pasuritë e paligjshme në Zvicër. Është i natyrshëm reaksioni i madh dhe prandaj kam nevojë për fuqinë e popullit”, shkruan ai.
Por analistët vendas vlerësojnë se kjo lëvizje politike u bë nga Papandreu për të shpëtuar veten dhe postin. Aq më tepër që ishte vetë ai i cili u kthye fitimtar nga Brukseli disa ditë më parë, duke nënshkruar marrëveshjen për ndihmën ekonomike, që tashmë deklaron se atë duhet ta miratojnë qytetarët me anë të një referendumi. Në këtë mënyrë, shprehen ata, Europa humb durimin, besueshmërinë dhe tolerancën ndaj Greqisë.
Nga ana tjetër konservatorët kërkojnë me cdo kusht të ndalojnë referendumin, sepse në rast se ai do të ishte pozitiv për Papandreun ata do të dilnin jashtë loje për shumë vite duke shtuar edhe faktin se nuk gëzojnë aspak besueshmërinë e kancelares Merkel apo të presidentit Sarkozi.
“Qeveria i bën shantazh popullit të pranojë paketën e shpëtimit dhe politikën e saj të gabuar, njëkohësisht merr riskun që populli t’i thotë“JO”kësaj pakete, bashkë me politikën, duke bërë që të vihet në rrezik ekzistenca e Greqisë në eurozonë duke vënë në rrezik vetë euron”, deklaron lideri i Demokracisë së Re, Samaras.
Me sytë nga Kana, parlamenti grek ka filluar seancën për votëbesimin e qeverisë që do të mbarojë të premten në mbrëmje dhe askush nuk mund të parashikojë rezultatin, pasi janë disa deputetë socialistë që janë shprehur kundër zhvillimit të referendumit.
Vetë kryeministri grek pritet të pozicionohet ditën e enjte, por të gjithë e dinë se fati i Greqisë varet nga takimi i Kanës dhe presin me interes cfarë do të sjellë takimi me udhëheqësit europianë. Madje sipas mediave greke Papandreu do të takohet edhe me presidentin amerikan Barak Obama.
Top Channel