Shfrytëzimi i pakontrolluar i inerteve në shtretërit, brigjet rreth lumenjve dhe tokat bujqësore në Kosovë tashmë ka shkaktuar dëme të medha në mjedis.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në bazë të një vendimi detyron policinë e Kosovës që duke filluar nga e enjtja të nisë ndjekjen dhe të ndalojë punën e së paku 103 kompanive të evidentuara të cilat me nxjerrjen e rërës dhe zhavorrit pa asnjë kriter kanë dëmtuar dhe degraduar lumenjtë e Kosovës.
“Vendimi kërkon që më së largu deri më 3 janar 2012 operatorët t’i largojnë të gjitha makineritë dhe pajisjet nga lokacionet e përmendura. Pas kësaj date do të pasojnë dënimet nga 1 deri në 100 mijë euro”, deklaron Dardan Gashi, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Sipas vlerësimeve të kësaj ministrie, nga vëzhgimi dhe inspektimi rezulton se degradimet e bëra kërcënojnë menaxhimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të resurseve ujore.
Madje, vëzhgimi tregon se në segmente të tera të lumenjve gjendja e tyre është para kolapsit ekologjik si pasojë e shfrytëzimit të pamëshirshëm.
“Asnjë nga operatorët nuk u përmbahet as përafërsisht kushteve të lejeve mjedisore që disa prej tyre i posedojnë. Po ashtu, është konstatuar edhe një numër i madh i atyre të cilët operojnë në mënyrë ilegale”, thekson Gashi.
Vendimi për ndalimin e nxjerrjes së rërës dhe zhavorrit është per një kohëzgjatje trevjeçare, ndërkohë që për të zbatuar këtë vendim në rast se është e arsyeshme do të ndërhyjë edhe KFOR-i.
Ministria e Mjedisit tregohet e vendosur edhe përsa i përket ndotjes së ajrit dhe dëmtimit të parqeve nacionale siç është ai i Prevallës, duke mos përjashtuar as shpellat e çmuara sic është ajo e Gadimes për të cilat së shpejti ajo zotohet se do të marrë masa të ashpra të ngjashme me ato për lumenjtë.
Top Channel