Vaksinimi i fëmijëve është një proces i zakonshëm dhe i detyrueshëm me ligj. Megjithatë, një bisedë e zhvilluar në emisionin e “Pasdites” në 18 tetor, krijoi një “stuhi” të vërtetë në opinionin publik.
Dy prindër akuzuan se marrja e vaksinave i kishte shkaktuar djalit të tyre vonesë mendore, duke i shfaqur sëmundjen e autizmit. Të rithirrur në emision në datën 2 nëntor, prindërit shpjeguan se pas trajtimit të fëmijës me një substancë që lidhet me elementet e vaksinës dhe pastron trupin nga to, djali i tyre është përmirësuar në mënyrë të ndjeshme.
“Më kanë ardhur me qindra telefonata pas emisionit të parë. Falë besimit tim fetar dhe frekuentimit të xhamisë, jam në kontakt edhe me shumë njerëz të tjerë që kanë problemin tim. Jam konsultuar me shumë persona dhe studime mjekësore, përpara se të bëja trajtimin e dytë, por pasi e kreva, fëmija është rikthyer pothuajse në një zhvillim të plotë dhe normal. Vaksinat janë një industri shumë fitimprurëse, prandaj është shumë e vështirë që dikush të dalë dhe t’I ndalojë, por ato janë të dëmshme”, shprehet Kreshniku, babai i fëmijës së prekur nga autizmi.
Një debat i tillë, në vende të tjera ekziston prej shumë kohësh. Aktori i famshëm hollivudian, Jim Carrey ka një fëmijë të prekur nga kjo sëmundje. Së bashku me bashkëshorten, ata kanë akuzuar publikisht vaksinat për vonesën mendore të djalit të tyre dhe udhëheqin një grup të quajtur “Generation Rescue”. “Nuk jam kundër vaksinave, por përse ato janë trefishuar në krahasim me brezin tonë. Sot fëmijët bëjnë 62 vaksina. Është një industri prej 13 miliardë dollarësh, prandaj dhe numri i vaksinave është kaq i lartë”, shprehet aktori në materjalin që sjell “Pasditja”.
Për të bërë oponencën në studio, Silva Bino, shefe e departamentit të sëmundjeve infektive, pranoi që ekziston një version i tillë, por që shkencërisht është hedhur poshtë. “Sëmundjet infektive shumë të rrezikshme, të cilat shkaktojnë vdekje dhe lënë pasoja të tmerrshme, parandalohen nëpërmjet vaksinave”, shprehet Bino. “Këtu nis debati i vaksinave, çdo produkt duhet të jetë i kontrolluar. Pse është akuzuar vaksina e fruthit, vëmendjen e së cilës e sollëm edhe këtu në studio. Një mjek anglez, Endrju Uejkfild, e kam dëgjuar me veshët e mi kur krijoi tezën se kjo vaksinë krijon problem me zorrën dhe autizmin. E publikoi në një revistë prestigjioze angleze, “Lancet”. E gjithë bota nisi të besonte dhe të kryente testime për të zbuluar nëse kishte me të vërtetë lidhje, por në fund doli që mjeku ishte i paguar nga grupe antivaksinë dhe u shkarkua nga çdo funksion”.
Sipas Binos, efektet anësore të vaksinave ekzistojnë, por përjashtoi kategorikisht që të lidhen me efekte të tilla të parikuperueshme si dëmtimet mendore. “Efektet janë në formën e skuqjes, temperaturës dhe është e ndaluar që të merren nëse fëmija është duke u kuruar nga ndonjë sëmundje tjetër. Megjithatë, kategorikisht që ato nuk krijojnë autizëm. Është provuar që vaksina e fruthit nuk krijon elementë në trupin e njeriut që të mund të shkaktojnë këtë problem”.
Më pas, debati u përqendrua në mangësinë e fletëpalosjes dhe të informacionit të mjekëve. Sipas prindërve të fëmijës, mjekët janë fajtorë që nuk shpjegojnë të gjithë efektet në momentin e vaksinimit dhe që nuk shpërndajë fletëpalosje qartësuese tek prindërit. Ata theksuan se nuk po flasin për vaksinën e fruthit në veçanti, në të njëjtën kohë që sollën studime që kritikojnë përmbajtjen e mërkurit në gjak si shkaktues të problemeve të trupit. “Nëse përqindja e këtij elementi është e lejueshme nën 1 mikrogram, në vaksinë ajo është 12,5, prandaj vetëm nëse fëmija peshon 125 kilogram mund të merret. Mërkuri në tru shkakton dëmtime të parikuperueshme, përfshi autizmin. Versioni i prindërve u hodh poshtë nga zonja Bino, e cila cilësoi përqendrimin e mërkurit në vaksina si të papërfillshëm.
Duke ndërruar temë, ajo shpjegoi se është e vërtetë që sasia e vaksinave është shtuar, çështje e kritikuar edhe nga aktori Jim Carrey. “Përpara viteve 1990 bënim vetëm vaksinat kundër tuberkulozit, poliomilitit, kollës së mirë, fruthit dhe disa të tjera. Programi pati rënie fillimisht në vitet 1990, edhe sepse një pjesë e vaksinave prodhoheshin në vend nëpërmjet një teknologji primitive që u ndalua nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Tashmë, vaksinat që përdoren në Shqipëri janë të cerfikuara nga autoritete europiane ose amerikane. Në vitet e fundit, kryhet edhe vaksinimi ndaj hepatiti viral, ose B, sëmundje shumë e përhapur në Shqipëri dikur. Kemi patur prevalencën më të madhe në Europë dhe rastet më të shpeshta të cirozave hepatike apo kancerit të heparit. Tashmë kryhen vaksina edhe ndaj rubeolës, shytave dhe disa përbërësve që shkaktojnë pneumoni”.
Aktualisht, në Shqipëri prindërit janë të shtrënguar të vaksinojnë fëmijët, kusht i vendosur për t’i regjistruar ata në shkollë ose kopësht. Prindërit e djalit të prekur nga autizmi kërkuan që ky kusht të hiqet dhe të bëhet duke u bazuar mbi zgjedhjen e prindërve. Zonja Bino përfundoi duke bërë apel se vaksinimi shpëton jetë, por pranoi se prindërit duhet të informohen përpara se të dërgojnë fëmijët e tyre për vaksinim.
Top Channel