Kreu i delegacionit serb në dialogun me Kosovën, Borisllav Stefanovic do të takohet me ministrin britanik për Cështjet Evropiane, David Lidington.
Mësohet se temë kryesore e bisedimeve dypalëshe në Beograd do të jetë situata në veri të Kosovës.
Në një komunikatë të qeverisë së Serbisë thuhet se, Stefanovic dhe Lidington do të bisedojnë për situatën aktuale në Jarinje dhe Bërnjak, si dhe për mënyrat e mundshme për tejkalimin e krizës.
Në veri të Kosovës mungon liria e lëvizjes, pasi serbët lokalë kanë vendosur barrikada si reagim ndaj dërgimit të doganierëve dhe policëve kosovarë në pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë.
Komunikata e ekzekutivit serb bën gjithashtu të ditur se Stefanovic dhe Lidington do të diskutojnë edhe mbi mundësitë e vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi.
Raundi i fundit i këtij dialogu, i parashikuar të mbahej më 27 dhe 28 shtator, u anulua pasi BE dhe SHBA nuk pranuan kërkesën e Serbisë që të flitej për gjendjen në portat kufitare në veri.
Dialogu Prishtinë-Beograd nisi në muajin mars të këtij viti, ndërsa deri më tani janë arritur 5 marrëveshje, zbatimi i të cilave po pengohet nga Serbia.
Rreth një javë më parë, zëdhënësja e Catherine Ashton, Maja Kocijancic njoftoi se Brukseli kishte marrë konfirmim nga Prishtina dhe Beogradi për gatishmëri për rifillimin e bisedimeve.
Kthimi në dialog është edhe një kusht që disa vende anëtare të BE-së i kanë vënë Serbisë për të marrë datën për nisjen e negociatave të anëtarësimit.
Top Channel