Londra: Të bashkohemi ndaj sulmeve kibernetike

01/11/2011 15:30

Një konferencë madhore ndërkombëtare është duke u mbajtur në Londër për të diskutuar rreth sigurisë së sistemeve kompiuterike, një javë pasi disa Ministri në Britaninë e Madhe vuajtën një sulm të koordinuar nga disa dhjetëra piratë.

Përfaqësues të 60 shteteve janë mbledhur për të diskutuar se si mund të luftohet ky problem gjithmonë e më shqetësues për qeveritë.

Ministri i Jashtëm, William Hague, deklaroi gjatë konferencës se “e vetmja mënyrë për të luftuar me krimin kibernetik është nëpërmjet një përgjigje globale dhe të koordinuar”.

Megjithatë, themeluesi i “Wikipedias”, Jimmy Wales, paralajmëroi se shtimi i kontrollit të autoriteteve mbi rrjetin do të kishte pasoja negative të pallogaritshme dhe të padëshiruara.

Gjatë konferencës, janë të pranishëm edhe Komisioneri i BE-së për teknologjinë dixhitale, Neele Kroes dhe përfaqësues të disa prej faqeve më të fuqishme në internet, midis të cilave edhe Facebook dhe Google, kompani që janë përballur shpesh me sulme kundër tyre.

Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, kishte konfirmuar prezencën e saj, por u detyrua të anullonte vizitën për shkak të shtrimit në spital të nënës së saj 92-vjeçare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA