Në Kosovë ka filluar sërish lëshimi i targave me inicialet KS. Përmes tyre synohet që të largohen nga qarkullimi targat që identifikojnë rajone të ndryshme të Kosovës, por që prej përfundimit të luftës janë lëshuar në mënyrë ilegale nga strukturat paralele serbe.

Ndonëse deri të hënën në mesditë nuk ka pasur ndonjë qytetar serb nga Kosova që ka bërë ndërrimin e targave të strukturave paralele me ato KS, të shtetit të Kosovës, zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, deklarojnë se interesimi për to ka qenë i madh, qysh në ditën e parë, dhe janë informuar si mund ta bëjnë këtë.

Automjetet me targa të strukturave paralele serbe, me inicialet e rajoneve, do të lejohen të qarkullojnë në rrugët e Kosovës deri më 31 dhjetor, kur edhe është afati i fundit për ndërrrim, në të kundërtën do të konfiskohen.

Zakonisht bartësit e targave ilegale kanë qenë serbët e Kosovës. Me keto targa ata kanë mundur të shkojnë në Serbi, pasi që ato KS më parë nuk janë pranuar.

Por, sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun teknik, mbi bazën e reciprocitetit, do të mund të shkohet në Serbi edhe me targa KS, ndërsa ata që kanë te shkruar Republika e Kosoves do të mund të kalojnë kufirin, por më tej autoritetet serbe do ta mbulojnë këtë mbishkrim me një targë të përkohshme.

Në kabinetin e kryenegociatores së Kosovës, Edita Tahiri, deklarojnë për Top Channel se presin që nga 20 nëntori të fillojë zbatimi i marrëveshjes për lëvizjen e lirë, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Zekës, nëse nuk ndodh fillimi i zbatimit të marrëveshjes deri në këtë datë, do të kërkohet nga ndërmjetësuesi i BE-së që të tregojë se pala serbe nuk është konstruktive në zbatim të marrëveshjeve, meqë BE është garantuese e zbatimit të këtyre marrëveshjeve.
 
Vendimi i Qeverisë së Kosovës, që përveç targave të reja RKS, të lëshojë sërish edhe ato KS është kundërshtuar nga subjektet politike opozitare në Kosovë, të cilat e patën konsideruar një vendim të tillë si “kthim në kohën e UNMIK-ut”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA