Komuna Çair e Shkupit me popullsi shumicë shqiptare, ka vendosur të shpallë qytetar nderi komisarin për zgjerim të BE-së, zotin Shtefan Fule, i cili javët e fundit ka qenë në qendër të kritikave të opinionit maqedonas dhe kryeministrit Nikolla Gruevski.
Shqiptarët e Maqedonisë duket se nuk pajtohen me euforinë anti-evropiane që ka kapluar disa organizata maqedonase dhe institucione shtetërore pas publikimit të raportit të progresit ku nuk përdoret emërtimi “maqedonas” për identitetin dhe gjuhën maqedonase.
“Akuzat e rënda ndaj BE-së, janë akuza që e cojnë Maqedoninë në izolim. Propozimi për të shpallur qytetar nderi Shtefan Fylen ka vetëm një simbolik, dhe kjo është se BE-ja duhet të jetë në Maqedoni dhe BE-ja duhet të përkrahë vlerat qytetare dhe jo ato rurale të cilat e kthejnë mbrapa Maqedoninë”, tha kryetari i Këshillit të Komunës Çair, Azam Dauti.
Ndërkohë, Shoqata e Historianëve shqiptarë në Maqedoni, përmes një letre i ka shprehur shqetësimin komisarit Shtefan Fyle, për shtrembërimin e historisë së popullit shqiptar nga ana e institucioneve shtetërore të Maqedonisë.
“Kjo tendencë që e kishte zanafillën qysh në kohën e elaborateve shoviniste të Ilija Garashaninit e Vasa Çubrilloviqit, të cilat në periudhën komuniste manifestoheshin në ombrellën e ‘vëllazërim-bashkimit’ jugosllav, sot po del në horizont si një recidiv anti-human dhe antihistorik, përmes mbështetjes institucionale të të ashtuquajturës “Enciklopedi maqedonase”, deklaroi përfaqësuesi i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë në Maqedoni, Mitat Shaqiri.
Rreth 15 shoqata dhe institucione të ndryshme maqedonase, përfshirë edhe Akademinë e Shkencave dhe kishën ortodokse i kanë dërguar letra me kritika të shumta komisarit Shtefan Fyle, ku shprehin indinjatën e tyre për sic thuhet injorimin e identitetit dhe gjuhës maqedonase nga ana e Komisionit Evropian.
Top Channel