Ish-presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, ka shanse të mira për t’i mbijetuar një tumori në fyt, deklaruan ditën e martë mjekët.
Një prej figurave më të respektuara në kombin më të madh të Amerikës Latine, Lula ka nisur prej disa ditësh seancat e kimioterapisë, por mjekët shprehen optimistë pasi kanceri nuk është përhapur në organe të tjera.
66-vjeçari u largua nga drejtimi i vendit në 2010-n, pasi shërbeu si president për dy mandate. Asnjë burrë shteti në Brazil nuk kishte arritur ndonjëherë një përkrahje aq të madhe sa Lula, gjatë tetë viteve të drejtimit, të paktën sipas sondazheve.
Në Brazil, disa kisha kanë shpallur mesha lutjeje për Lulën, ndërsa vetë ish-presidenti është deklaruar shumë optimist.
Në dhjetor 2010, Lula u detyrua të largohej nga pushteti, pasi kushtetuta e vendit e ndalon një mandat të tretë radhazi, por përflitet se ai mund të rikthehet në krye të shtetit në 2014-n.
Një duhanpirës i rregullt, Lula arriti të nxirrte nga varfëria më shumë se 20 milion brazilianë nëpërmjet politikave të tij shumë efikase ekonomike. Ai është lideri i dytë i një vendi të Amerikës së Jugut që po lufton ndaj kancerit, pas presidentit të Venezuelës, Hugo Chavezit.
Top Channel