Tragjedia e Marko Simonçelit në Çmimin e Madh të Malajzisë në Botërorin e MotoGP, e ka prekur shumë Kolin Eduards, që ishte një prej protagonistëve të incidentit të ndodhur së bashku me Valentino Rosin.
Në një intervistë për të përditshmen italiane “La Gazzetta Dello Sport”, Eduards shpjegoi arsyet e këtij aksidenti duke shtuar se nuk mund të bënte dot asgjë për ta shmangur atë.
“I kam bërë vetes një mijë pyetje. Cfarë do të kishte ndodhur nëse nuk do të bëja këtë aksident, nëse do të reagoja ndryshe? Por pashë fotot e incidentit dhe e gjeta menjëherë përgjigjen; nuk mund të bëja dot asgjë për të shmangur atë që ndodhi”, thotë Eduards.
Më pas Eduards shtoi se as vetë Valentino Rosi nuk mund ta shmangte dot atë që ndodhi, ndërkohë që vlerësoi në maksimum Marko Simonçelin.
“Është shumë e vështirë për t’u pranuar humbja e një miku dhe kolegu. Marko ishte shumë i dashur nga tifozët për personalitetin, karakterin dhe karizmën e tij”, shton piloti i MotoGP.
Top Channel