Autoritetet tuniziane kanë lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar për Suha Arafat, e veja e liderit të ndjerë të Palestinës, Yasser Arafat.
Ministria tuniziane e Drejtësisë ka deklaruar se gruaja dyshohet se është përfshirë në një aferë korruptive me ish-presidentin Ben Ali.
Sipas mediave të huaja, zonja Arafat kalonte shumë kohë në Tunizi dhe bënte biznes me bashkëshorten e presidentit të rënë, Leila Trabelsi.
Nga ana e saj, Suha Arafat i ka mohuar akuzat në një prononcim për agjencinë franceze të lajmeve “AFP”.
Familja e Ben Ali dhe ajo e bashkëshortes së tij, Leila Trabelsi kontrollonin pjesën dërrmuese të ekonomisë tuniziane.
Pas vdekjes së Arafat në vitin 2004, zonja Arafat mori nënshtetësi tuniziane dhe ngriti një shkollë ndërkombëtare në qytetin e Kathages, bashkë me “homologen” Trabelsi.
Por marrëdhëniet mes tyre u prishën në vitin 2007 dhe nënshtetësia e zonjës Arafat u hoq nga autoritetet tuniziane, të cilat e detyruan atë të linte vendin.
Ish-presidenti Ben Ali u rrëzua nga pushteti në janar pas protestave popullore që shënuan edhe nisjen e së ashtuquajturës Pranvera Arabe dhe u largua në Arabinë Saudite.
Qeveria e përkohshme e tunizisë ka lëshuar një seri akuzash ndaj shumë personave që dyshohen për korrupsion gjatë epokës 23-vjecare të Ben Ali.
Pak ditë më parë në Tunizi u zhvilluan zgjedhjet e para demokratike, rezultatet zyrtare të të cilave sugjeronin fitoren e Partisë Islamike të moderuar, Ennahda.
Megjithatë, zgjedhjet nuk sollën qetësinë që pritej, pasi protesta të dhunshme përfshinë vendin ditën e premte.
Top Channel