Skëndërbeu ka mbyllur javën e shtatë të Superligës me një fitore shumë të nevojshme përballë Kastriotit, në një ndeshje të vështirë për korçarët, që në këtë sezon mbeten jashtë formës që i bëri të fitonin titullin një vit më parë.
Një gol i vetëm i Daniel Xhafajt vendosi takimin në të 52’. Ky ishte goli i parë për golashënuesin më të mirë të dy sezoneve të fundit në radhët e Skëndërbeut, skuadër ku kaloi gjatë merkatos së verës prej Flamurtarit. Njëkohësisht, fitorja e parë në kampionat edhe për trajnerin çek Levi, i cili morri në dorë drejtimin e skuadrës pas shkarkimit të Duros.
Më parë gjatë drekës, Flamurtari arriti një fitore të rëndësishme në Ballsh, në ndeshjen e
javës së shtatë të Superligës Shqiptare, të luajtur të hënën.
Fjodor Xhafa kaloi në avantazh vendasit gjatë pjesës së parë me një goditje nga jashtë zone, duke krijuar iluzionin e një fitoreje të thjeshtë për Bylisin, sidomos pasi një sezon më parë, një gol i vetëm i tij kishte mjaftuar për të siguruar tripikëshin ndaj vlonjatëve.
Megjithatë, reagimi i kuqezinjve ishte i shkëlqyer në pjesën e dytë, ku golat e Lenës, Hysës dhe Sakajt i dhanë Flamurtarit një fitore të shkëlqyer, në një prej fushave më të vështira të kampionatit.
Me këtë fitore, Flamurtari ngjitet një pikë pas Teutës dhe Tiranës, dy kryesuesve, që arritën gjithashtu të ishin të suksesshëm në transfertë, në ndeshjet e luajtura të dielën. Mbyll javën takimi midis Skënderbeut dhe Kastriotit, i cili do të zhvillohet në stadiumin e Korçës, duke nisur nga ora 18:00.
Top Channel