Gjasat më të mëdha që Serbia të fitojë kandidaturën për në BE janë në dhjetor, ndërkohë që caktimi i datës për nisjen e bisedimeve do të varet nga dialogu me Kosovën.

Kështu ka deklaruar ambasadori francez në Beograd, Francois Xavier Deniau, i cili ka theksuar se BE pret rezultate konkrete nga bisedimet Prishtinë-Beograd.

Ndërsa nga Prishtina, ka nënvizuar diplomati, BE pret më shumë angazhim për zbatimin e planit Ahtisari, i cili parashikon autonomi të gjerë për veriun e Kosovës.

Deniau ka deklaruar për mediat serbe se për Serbinë nuk po vendosen kushte të reja për anëtarësimin në BE, duke theksuar se kushti për bashkëpunim rajonal dhe për paqe me fqinjët është kërkuar gjithmonë.

Ndërsa përsa u përket barrikadave në veri të Kosovës, ambasadori është shprehur se ato nuk lehtësojnë jetën e përditshme të qytetarëve.

Në raport-progresin e Komisionit Evropian të publikuar më 12 tetor, sugjerohet që Serbia të marrë statusin e vendit kandidat për në BE.

Por shumë vende perëndimore po i vendosin asaj si kusht normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe largimin e strukturave paralele nga veriu i shtetit të ri.

Ato vende që kanë shprehur hapur qëndrimin e tyre lidhur me marrëdhëniet me Kosovën kanë qenë Gjermania, në fund të shtatorit, dhe Polonia, në fillim të muajit tetor.

Por deklarata analoge më e rëndësishme ka qenë ajo e komisionerit evropian për Zgjerimin Shtefan Fyle, si dhe ajo e bërë së fundmi nga GNK, se Serbia nuk mund të importojë probleme brenda BE-së.

Qëndrim disi më të lehtë shprehu Italia, ministri i Jashtëm i të cilës, Franco Frattini deklaroi më 10 tetor se është koha e statusit. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA