“NATO është krenare që ndihmoi Libinë gjatë kryengritjes kundër rregjimit të Muammar Gaddafi-t”. Shefi i Aleancës, Anders Fogh Rasmussen ndodhet në Tripoli për të shënuar fundin zyrtar të misionit në Libi.
Trupat e NATO-s vepruan në bazë të mandatit të Këshillit të Sigurimit për të mbrojtur civilët dhe nisën operacionet në mars, kur besnikët e Gaddafi-t nisën t’i vënë në shenjestër.
“Ne kemi vepruar për të ndryshuar historinë dhe fatin tuaj, ne vepruam për t’ju mbrojtur. Së bashku fituam. Libia, më në fund është e lirë, nga Bengazi në Brega, nga Misrata në malet Nafusa dhe Tripoli. Shumë vende në botën arabe na njohin e na besojnë, shumë vepruan krah nesh për t’ju mbrojtur. Shpresoj se Libia e lirë dhe demokratike do të na bashkohet së shpejti, si partner, por kjo ju takon juve. E ardhmja e Libisë së lirë është më në fund në duart tuaja”, deklaroi Rasmussen.
Rasmussen u takua me udhëheqësit e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, përfshirë kreun e tij, Mustafa Abdul Jalil dhe diskutuan për të ardhmen e Libisë, si dhe strategjinë për tranzicionin drejt demokracisë.
Avionët e parë të NATO-s fluturuan mbi Libi mbrëmjen e 19 marsit, ndërsa forcat e kolonel Gaddafi-t po i afroheshin Bengazit, bazës së kryengritësve. Në total u ndërmorrën 26 mijë fluturime, përfshirë 10 mijë misione goditëse.
Mbi 1000 tanke, automjete dhe armatime të besnikëve të Gaddafi-t u shkatërruan, përfshirë komandën dhe rrjetin e tij të kontrollit.
Sipas analistëve, pavarësisht përfundimit të misionit të NATO-s, fuqitë perëndimore do të jenë të përfshira në Libi për një periudhë të konsiderueshme kohe.
Këshilli i Sigurimit vendosi t’i japë fund misionit të NATO-s, pavarësisht apelit të Këshillit Kombëtar të Tranzicionit për të vazhduar operacionet.
Top Channel