Juventusi kryeson i vetëm Serinë A pas nëntë javësh, por për qendërsulmuesin e bardhezinjve, Alessandro Matri, Milani mbetet skuadra favorite për titullin kampion.
Duke folur në shtypin italian pas fitores së madhe të arritur në Milano ndaj Interit, golashënuesi u shpreh: “Milani është kampioni në fuqi dhe renditen menjëherë pas nesh, prandaj ata vazhdojnë të jenë favoritë. Ne duhet të vazhdojmë të mendojmë ndeshje pas ndeshje, për të arritur sa më lart që të jetë e mundur, pa menduar gjatë dhe pa i krijuar vetes strese të kota duke caktuar që tani objektiva”.
Pas një fillimi me shumë entuziasëm, Matri thekson se një fitore në fushën e Interit ishte pikërisht ajo që duhej për të bërë skuadrën që të besojë se mund të arrijë gjëra të mëdha. “Është një fitore që na jep shumë besim. Nuk mund të ndodhë ndryshe, pasi kemi fituar ndaj një skuadre të madhe, favorite për titull dhe që vetëm përpara dy vitesh ishte kampione e Europës”.
Buffon: Të detyruar të besojmë tek titulli
Pas fitores së arritur ndaj Interit, portieri Buffon ka nisur të besojë edhe ai tek titulli. “Nëse ruajmë këtë ritëm, dëshirën për të fituar dhe entuziasmin që kemi treguar deri tani, atëherë mund t’ia dalim mbanë dhe të fitojmë titullin. Do të ishte një ëndërr që të shpalleshim kampionë që në sezonin e parë në stadiumin e ri”.
Conte: Luajmë si të mëdhenj me të mëdhenjtë
Nga ana e tij, trajneri Conte ka arsye për të festuar, ndërsa Juventusi ka arritur të mposhtë në këtë sezon dy gjigantët e Milanos, Milanin dhe Interin. “Kemi treguar në ndeshjet e drejtëpërdrejta se mund të bëjmë gjëra të mëdha. Tani, me këto tre pikë ndaj Interit marrim kryesimin. Nëse do të dimë të jemi më të saktë përballë portës edhe ndaj skuadrave që tërhiqen pas, atëherë kemi shanse shumë të mira për t’ia dalë mbanë”, përfundoi trajneri.
Top Channel