Problemet me barrikadat në veri vazhdojnë duke penguar për rrjedhojë edhe lëvizjen e lirë. Kështu u tha sot në mbledhjen e komitetit për sigurinë në Mitrovicë.
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, i ka cilësuar si të papranueshme kushtet e serbëve për lirimin e rrugëve.
Sipas tij, largimi i pjesshëm i barrikadave nga strukturat paralele tregon se në qëndrimin e serbëve nuk ka ndryshuar asgjë.
“Kushtëzimet për lëvizjen e lirë janë të papranueshme. Rrugët duhet të jenë të lira për qytetarët, si dhe për të gjitha mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë”, ka deklaruar Kastrati.
Kryekomunari ka nënvizuar se barrikadat në veri, përkatësisht në urën mbi lumin Ibër dhe në Lagjen e Boshnjakëve, kanë mbetur të palëvizura.
“Këto barrikada vazhdojnë të qëndrojnë aty, ndërsa qytetarët vazhdojnë të kenë probleme me lëvizjen e lirë”, ka shtuar Kastrati.
Ditën e sotme, komandanti i KFOR-it, Erhard Drews dhe numri dy i EULEX-it, Andy Sparks tentuan të shkojnë drejt pikëkalimit kufitar të Bërnjakut, por nuk mundën, pasi serbët nuk lejuan kalimin e përfaqësuesve të misionit evropian.
Në afërsi të pikës kufitare në fjalë serbët ngritën sërish një barrikadë prej druri, pas largimit që KFOR-i u bëri ditën e premte disave prej tyre.
Top Channel