Falja e borxhit grek, falimenton firma amerikane

31/10/2011 16:00

Një firmë amerikane e specializuar për operacionet në bursë dhe ndërmjetësimet e huamarrjeve shpalli ditën e hënë falimentimin, si rrjedhojë e humbjeve të papërballueshme pas vendimit për të falur gjysmën e borxhit grek.

”MF Global” pësoi një goditje prej katër miliardë dollarësh, prej marrëveshjes së arritur nga vendet e Eurozonës në datën 26 tetor.

Kompania me dy mijë punëtorë në të gjithë botën deklaroi se do të nxjerrë në shitje të gjitha asetet e saj, që pritet t’i kalohen rivalëve më të mëdhenj në treg të “Brokers Group”.

Ndërkohë, kompania doli nga veprimet në bursën e Nju Jorkut gjatë ditës së hënë. “MF Global” kishte shqetësuar kreditorët e saj kur publikoi një humbje prej pothuajse 200 milion dollarësh në tremujorin e tretë të vitit, ndërsa falja e gjysmës së borxhit grek provokoi një humbje të tillë që nuk mund të përballohej më prej kompanisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA