Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se niveli aktual i taksave duhet riparë, me synim rritjen e një pjese të tyre lajmëroi e përditshmja “Shqip”, në numrin e ditës së dielë.
Në kuadër të hartimit të buxhetit të shtetit, FMN ka rekomanduar marrjen e masave të forta për garantimin e të ardhurave të mjaftueshme, në mënyrë që qeveria ta ketë më të lehtë manovrimin me shpenzimet dhe shërbimet ndaj borxhit.
Dy janë taksat që prekin direkt buxhetin e shtetit dhe kostot e biznesit, për të cilat FMN sugjeron rritjen, me disa pikë përqindje: taksa e sheshtë dhe taksa e kontributeve në tërësi. Të dyja këto detyrime tatimore u ulën rreth tre vjet më parë me synim rritjen e bazës së taksapaguesve, për rrjedhojë rritjen e të ardhurave, si dhe lehtësimin e bizneseve nga barra fiskale, duke tentuar të zhvillojë tregun e investimeve të huaja, apo thithjen e kapitalit përmes investimeve në sektorë të ndryshëm.
Në këto tre vjet, rezultatet nuk kanë qenë të duhurat, bën të ditur FMN, dhe në këto kushte qeveria bën mirë t’i rishikojë këto taksa. Në paketën e propozimeve që grupi i ekspertëve të Fondit paraqiti në tryezën e ministrit të Financave, Ridvan Bode, javën e shkuar, specifikohet edhe masa e rritjes, apo impakti që mund të sjellë ky ndryshim radikal fiskal.
“Për taksën e sheshtë, që aktualisht është 10 për qind, rekomandojmë rritjen e saj, qoftë edhe me pak për qind, pasi mund të sjellë të ardhura të konsiderueshme në buxhet dhe njëkohësisht sjell rënie reale të pagave në sektorin publik e privat”, thekson FMN.
Me taksën e sheshtë nënkuptojnë dy taksat direkte, tatimin mbi fitimin, që ishte 20 për qind, dhe tatimi mbi të ardhurat, i cili kishte një shkallë tatimore progresiste, në varësi të të ardhurave. Këto dy taksa u unifikuan me ‘taksën e sheshtë’, me qëllim rritjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Koha tregoi se në tre vitet e fundit rritja ekonomike nuk ishte në nivelin e duhur, jo më shumë se 4 për qind, ndërsa investimet e huaja neto kanë pësuar tkurrje.
Tjetër taksë po aq e debatuar është ajo e kontributeve, me të cilën garantohet e ardhura për skemën e pensioneve. Qeveria e uli taksën me 5 pikë përqindje, por efektet e pritshme nuk u dhanë. Të ardhurat rriten nga pak, kurse kontribuuesit nuk janë realë, pasi 16 mijë biznese të reja të regjistruara në vitin 2010, nuk dhanë më tepër se 17 mijë kontribuues. Pra duket qartë niveli informal i pagesës së taksës, që edhe pse e ulur si shkallë tatimore, sërish nuk nxiti bizneset ta paguanin.
Për këtë taksë, FMN thotë se, “ulja e kontributit të sigurimeve shoqërore duhet të rishikohet për shkak se shpresa e qeverisë për rritje të numrit të kontribuuesve rezultoi iluzive”.
Të dhënat paraprake të 9-mujorit tregojnë se shkurtimi i buxhetit në korrik nuk ka sjellë asnjë përmirësim. Edhe pse tatimet janë duke punuar me një plan të ri reduktimi të ardhurash, sërish po dalin deficit me arkëtimet. Të dhënat tregojnë se të ardhurat tatimore janë gati 7 miliardë lekë më pak se plani i rishikuar, ose 3.1 për qind më ulët.
Pothuajse të gjitha llojet e taksave nuk e kanë realizuar planin, rekord negativ i paparë në këto 6 vitet e fundit. Të gjitha së bashku, si TVSH, tatimi mbi fitimin, akciza, tatimi mbi të ardhurat personale, sikurse dhe taksat e tjera, ato doganore dhe nacionale, rezultojnë që të gjitha me humbje, ku më negativ paraqiten akcizat, me minus 3.7 për qind.
Top Channel