Ekonomi, bien investimet

30/10/2011 17:35

Në vitin 2008, investimet totale në ekonomi arritën rekordin 32.5 për qind e prodhimit kombëtar. Rritja ishte e dyanshme edhe nga investimet e qeverisë të financuara me borxh, por edhe nga ato të privatëve.

Si rezultat rritja ekonomike vjetore kërceu në 7.5 për qind. Por ky ishte viti i fundit i artë i ekonomisë shqiptare. Menjehërë pas 2008-s, investimet në ekonomi kanë rënë me ritme të forta si nga shteti ashtu edhe privatët.

Shifra e rritjes ekonomike po ashtu ka ndjekur të njëtin trend duke rënë më shumë se dy herë. Në fund të vitit të kaluar, edhe pse qeveria trumpetoi fort rritjen e investimeve të huaja në nivele rekord,  investimet totale në ekonomi zbritën në minimumin historik me vetëm 25.9 për qind të prodhimit kombëtar, ndërsa për këtë vit vlerësimet janë edhe më negative.

Sipas Fondit Monetar, në vitin 2011, investimet në ekonominë shqiptare do të jenë sa 25 për qind e prodhimit kombëtar, nga të cilat 20.2 për qind do vijnë nga privatët, biznesi dhe individët, ndërsa pjesa tjetër prej 4.8 për qind janë investime të qeverisë.

Tkurrja e fortë e investimeve në ekonomi duket e lidhur me një sërë shkaqesh. Së pari, biznesi pengohet nga rënia e konsumit të qytetarëve, pasiguritë e rritura në ekonomi dhe burimet e kufizuara financiare, që diktohen edhe nga ritmet e ulëta të kredisë.

Ndërsa për pjesën e shtetit, shkaku i rënies së investimeve lidhet me gjendjen e financave të qeverisë, ku ecuria e dobët e të ardhurave po kompesohet me uljen e shpenzimeve për investime. Në këto kushte pritshmëritë nuk duken pozitive as për të ardhmen.

Investimet janë burimi kryesor i punësimit, por edhe rritjes ekonomike. Rënia e fortë e tyre nuk është sinjal i mirë për një ekonomi që vuan nga papunësia e lartë dhe rritja e ngadaltë.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA