Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci ka deklaruar se qeveria e tij nuk është në luftë me banorët serbë të veriut të vendit.
“Mes qeverisë dhe qytetarëve në veri të vendit nuk ka konflikt. Ata janë qytetarë të Kosovës dhe unë jam në shërbim të tyre”, ka deklaruar Thaci.
Deklaratën e tij, kryeministri e ka bërë në një intervistë për të përditshmen zvicerane “Neue Zeitung”.
Thaci ka nënvizuar se situata në veri është e qetë por komplekse dhe ka shtuar se atje nuk bëhet fjalë për cështje politike, por për rend dhe ligj.
Thaci: Në konflikt me ata që shkelin ligjin
Të njëjtin mesazh Thaci dha edhe dy ditë më parë në Kuvendin e Kosovës, ku deklaroi se veprimet kriminale në veri janë mbështetur nga shteti serb.
I thirrur në interpelancë për cështjen e veriut nga lëvizja Vetëvendosje, Thaci theksoi se situata në këtë pjesë të Kosovës është e trashëguar.
“Eshtë investuar ndjeshëm për infrastrukturën në veri. Strategjia për veriun ishte një përkushtim i qeverisë”, tha Thaci.
Duke folur për bllokimin e hyrjes së mallrave serbë në Kosovë, dhe më pas për aksionin në këtë zonë, Thaci theksoi se gjendja e krijuar ka patur ndikime negative.
“Gjendja ndikon keq për zhvillimin e qytetarëve të Kosovës. 40 mijë qytetarë serbë janë bërë pre dhe instrument i strukturave politike të Beogradit. Masat e ndërmarra në veri nuk i drejtohen asnjë qytetari të Kosovës. Qeveria e Kosovës nuk është në konflikt me qytetarët në veri, por me ata që po pengojnë zhvillimin”, tha Thaci, duke paralajmëruar se përgjegjësit do të përballen me drejtësinë.
Kryeministri i Kosovës theksoi se barrikadat e vendosura në veri të Mitrovicës nuk do të qëndrojnë shumë gjatë, sepse ligji dhe rendi do të funksionojë në të gjithë territorin e vendit, por nuk tha një datë të saktë se kur do të largohen bllokadat.
Top Channel