Unioni Demokristian shqiptar nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi fton faktorin politik shqiptar në keto vende që të angazhohet më tepër në ruatjen e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës, në vecanti në pjesën veriore të saj.
Në Prishtinë pas gjashtë vjetësh u mbajt kongresi i tretë i Unionit Demokristian Shqiptar, në të cilin u rizgjodh kryetar Zef Morina, nga Partia Demokristiane e Kosovës.
“Kosova dhe Shqipëria duhet të bindin ndërkombëtarët se nuk mund të ketë ndarje të Kosovës. Kosova nga ana e saj dhe institucionet ndërkombëtare që veprojnë atje duhet të vendosin ligjin dhe të normalizojnë sa më shpejt situatën në veri”, deklaroi Morina.
Ky kongres, sipas kryetarit të Partisë Demokristiane të Shqiperisë, Nard Ndoka, tregon se spektri demokristian në hapësirën shqiptare po unifikohet në qëndrime.
“Ne sot jemi mbledhur për të treguar forcën tonë dhe për t’u thënë atyre që kanë mbyllur sy e veshë se alternativa demokristiane është e gjallë dhe gati të përballet me cdo sfidë”, theksoi Ndoka.
Në këtë kongres, Unioni i është drejtuar gjithashtu me një kërkesë Vatikanit që të njohë sa më parë pavarësinë e Kosovës. Ndërkaq, kultivimi i demokracisë dhe proceset integruese ishin po kështu pjesë e debatit.
Opsioni i ndarjes së Kosovës po bëhet gjithmonë e më i qartë në qarqet politike serbe, të cilat e shohin përvetësimin e veriut të shtetit të ri si mënyrën e vetme për të mos dalë duarbosh nga humbja e Kosovës.
Një ditë më parë zëvendëskryeministri serb Ivica Dacic deklaroi se ka ardhur koha që Serbia të thotë qartë dhe fortë se qëllimi i saj është përvetësimi i serbëve në veri të Kosovës.
Top Channel