Dëmshpërblimet për përmbytjet në zonën e Nënshkodrës që nuk janë paguar
ende do të duhet të paguhen nga KESH sh.a, por kjo e fundit për momentin
është në vështirësi financiare dhe nuk mund të paguajë.
Lajmi u dha nga Ministri i Bujqësisë Genc Ruli dje në Shkodër, ndërsa po inspektonte punimet për mbrojtjen e zonës nga përmbytjet.
Ministri i Brendshëm Bujar Nishani dhe ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes Konsumatore Genc Ruli kanë qenë dje në Shkodër për të inspektuar punimet që po bëhen në argjinatura dhe përgatitjet e shtabeve të emergjencës në rast përsëritje të përmbytjes masive në Nënshkodër.
Dy ministrat fillimisht kanë ndjekur punimet në argjinaturat përgjatë lumit Buna dhe më pas është zhvilluar një takim me të gjithë drejtuesit e pushtetit vendor në Shkodër që janë pjesë e shtabit të emergjencës.
Ministri i Bujqësisë Genc Ruli është shprehur se janë investuar 10 milonë dollarë në reabilitimin dhe ndërtimin e argjinaturave dhe kanaleve kulluese në zonën e Nënshkodrës ku 95% e punimeve kanë kryer dhe kjo është vetëm 1/3 e investimeve që do të bëhen në Shkodër. I pyetur në lidhje me faktin se ende banorët e Nënshkodrës nuk kanë marrë dëmshpërblimin e përmbytjes së fundit, ministri Genc Ruli është përgjigjur se dëmi është llogaritur lekët do të jepen por dëmshperblimi do të bëhet sipas ligjit të digave që do të thoët se është KESH ai që do paguajë. Por për shkak të prodhimit të voglë të energjisë këtë sezon veror, KESH e ka patur të pamundur të paguajë dëmet.
Ndërsa Ministri Brendshëm Bujar Nishani në rolin e kryetarit të shtabit të emergjencë u ka kërkuar gjitha struktuarve vendore që të jenë në gadishmëri të plotë për çdo situatë problematike që mund të përsëritet. Ministri Nishani garantoi drejtuesit vendorë të Shkodrës për vëmendjen maksimale të qeverisë për të mbështetur me anë të të gjitha strukturave dhe mjeteve financiare marrjen e të gjitha masave për parandalimin dhe përballimin e situatave të përmbytjeve në këtë qark.
-Jam i bindur se këto hapa që janë ndërmarrë deri më tash do të ndihmojnë maksimalisht për parandalimin e çdo situate dhe do të jenë garancia kryesore që të përballojmë me sukses edhe situatat më të rrezikshme që mund të shfaqen në sezonin dimëror që po vjen,-deklaroi Ministri i Brendshëm Z. Bujar Nishani në fund të fjalës së tij në takimin që u zhvillua në Këshillin e Qarkut Shkodër.
Në muajin dhjtor të vitit të kaluar Shkodra dhe Nënshkodra përjetoi përmbytjen masive më të madhe të ndodhur në Shqipëri gjatë 150 viteve të fundit dhe dëmi që shkaktoi kjo përmbytje u vlersua në 30 milionë dollarë.
Top Channel