
Debuton pista e Indisë, po me të njëjtët protagonistë, Sebastian Vettel
është edhe këtu fituesi i Pole Position, duke cuar në 13-të numrin e poleve personale në këtë sezon duke iu afruar shumë rekordit.
Edhe pse xhiron për herë të parë, gjermani, kampion bote, arriti ta interpretojë më mirë pistën duke regjistruar kohën më të shpejtë, ndërkohë që me pak të mijtat pas tij u rendit Luis Hamilton, por që gjithsesi do të startojë 3 pozicione më prapa, për shkak të një penalizimi që kishte marrë nga komisarët që në provat e lira të ditës së premte.
Në linjën e dytë të nisjes gjenden Mark Webber e Fernando Alonso, të dy pilotë që përfitojnë nga penalizimi i britanikut të McLaren-it. Gjithsesi, duket se gara e nesërme do të jetë spektakolare dhe e paparashikueshme, duke parë daljet e shpeshta jashtë piste në provat e lira e zyrtare pasi shumë pak e njohin pistën e trajektoren që duhet të zgjedhin.
Button e Alonso luftojnë ende për vendin e dytë në klasifikimin e përgjithshëm, ndërsa Vettel në luftë me veten për të përmirësuar rekordet. Gjithcka për t’u ndjekur në garën e Indisë, ditën e diel, drejtpërdrejt, si gjithmonë në Top Channel, nga ora 10:30.
Top Channel