Roma-Milan është një tjetër ndeshje interesante në këtë javë të Serisë A. Në Olimpiko, do të përballen 2 skuadra të cilat vijnë pas rezultatesh të ndryshme në mesjavë, Roma humbi me Xhenoan 2-1, ndërsa kuqezinjtë fituan me Parmën 4-1.
Megjithatë këtë ndeshje Masimiliano Alegri po e përgatit me disa mungesa. Nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit italian, Klarens Sedorf. Mesfushori holandez kishte probleme me gjurin dhe nuk mundi dot të riaftësohet në kohë dhe Alegri vendosi që të mos e grumbullojë në skuadër. Nuk do të jenë në ndeshjen me verdhekuqtë as Antonini, për shkak të një dëmtimi në kavilje, Meksès dhe Inzagi, ndërkohë që rikthehet në skuadër portieri Marko Amelia.
Por sfida mes Romës dhe Milanit ka në qendër të vëmendjes edhe stafet teknike të të dyja skuadrave; Luis Enrike dhe Mauro Tasoti. Të dy këta personazhe, gjatë kohës kur ishin futbollistë kanë qenë protagonistë të polemikave të shumta në Botërorin e SHBA të vitit 1994. Në këtë eveniment, Tasoti kujtohet për një goditje të fortë me bërryl ndaj Luis Enrikes në ndeshjen mes Spanjës dhe Italisë, megjithatë trajneri i Romës nuk i jep aspak rëndësi këtij incidenti.
“Kanë kaluar 17 vjet nga episodi me Tasotin. Nuk kam asnjë problem me të. Ajo që ndodhi në fushën e lojës, u mbyll aty. E njoh Tasotin si person dhe nuk do ta kem problem t’i jap dorën kur të nisë ndeshja”, thotë trajneri verdhekuq.
Alegri: Ndeshje titulli me Romën
Massimiliano Allegri, trajneri i Milanit, mendon se ndeshja ndaj Romës (të shtunën në orën 18.00) do të jetë tejet e rëndësishme në luftën për titullin kampion.
“Roma-Milan do të jetë një ndeshje që do të përcaktojë shumë në luftën për titullin kampion. Duhen edhe dy ndeshje deri në pushimin e kombëtareve dhe Milani duhet të qëndrojë pranë kreut të renditjes. Verdhekuqtë janë një skuadër e re dhe që luan shumë mirë futboll”, deklaroi Allegri.
Top Channel